HISTORI/ Viti 1947: 17 NANDORI i Tiranës “themelon” PARTIZANIN e Ushtrisë Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2023 | 17:50

HISTORI/ Viti 1947: 17 NANDORI i Tiranës “themelon” PARTIZANIN e Ushtrisë Kombëtare

NGA BESNIK DIZDARI
Siç e shihni, këtij shkrimi i kam vënë okielon “histori”. Sepse histori është. Pavarësisht se në sporte apo futbollin e Shqipërisë “historia” nëpërkëmbet keqas. Kësisoj, duke u ndalur te historia pra, po tregoj këtu, se si dhe kur lindi një nga ndeshjet më të mëdha, më historike të Kampionatit Kombëtar të futbollit në Shqipëri. Nxitësi i kësaj kujtese historike është ky takim i së mërkurës, SK Tirana – Partizani, rëndësinë e madhe të të cilit në garën për titullin 2023, ia përcaktoi fitorja e Teutës së Durrësit ndaj SK Tiranës, duke e ngushtuar ndryshimin midis tyre nga 5 në vetëm 2 pikë. Çka e vë epilogun e kampionatit para një dere tjetër, për të cilën ende nuk dihet se për kë do të hapet ajo.

partizani 1946

Kështu pra. Po tregoj historinë e ndeshjes së parë midis këtyre dy skuadrave, sot të kryeqytetit, por që më 1947 e kryeqytetit ishte vetëm njëra: 17 NANDORI, siç shkruhej germë për germë pa “ë” e pa “t”. Kështu ngaqë Partizani nuk i përkiste qytetit të Tiranës, por Ushtrisë Kombëtare, pavarësisht se jetonte, ushtrohej e stërvitej në Tiranë.

Pa komplekse, këtë shkrim e kam titulluar kështu: “1947. 17 NANDORI i Tiranës ‘themelon’ PARTIZANIN e Ushtrisë Kombëtare”. Dhe mû këtu qëndron shtjellimi tejet origjinal i historisë, duke shkuar te ky fragment i librit “Historia e Kampionateve të Shqipërisë 2 – Vitet ’40″:

“KAMPIONATI I 10-të KOMBËTAR I VITIT 1947 ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar si kampionati që sanksionoi ndryshimin e madh historik në politikën e zhvillimit të futbollit. Dhe gjithçka lidhet vetëm me një emër: Partizani, ndryshe skuadra e Ushtrisë Kombëtare apo Popullore, siç do të thirrej. Rrallë mund të gjendet një rast në historinë e futbollit botëror, që krijimi i një klubi të ri futbolli të ndikonte aq fort në ecurinë e kampionateve të një vendi si ky i Shqipërisë. Nga ana tjetër, vështirë mund të gjendet një rast i tillë ku pushteti i një skuadre, i një klubi të vetëm të sapoformuar, të ishte kaq pa kufi sa rasti i Partizanit të Shqipërisë.

Qysh nga ky 1947 futbolli i kampionateve shqiptare do të jetë në duart e këtij Partizani. Ishte një emër sugjestionues historik, kur dihet se në këto dy-tri vjet të Pasluftës, fjala/thirrja ‘partizan’ ishte shndërruar në simbol të vetë jetës shqiptare të sunduar nga Partia Komuniste (më pas Partia e Punës). Ky Partizan do të përcaktojë fatin e vetë ecurisë, zhvillimit, organizimit, politikës së futbollit, madje të të gjithë sportit. Duke qenë gjithnjë pranë pushtetit, në mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Mbrojtjes, duke e ngatërruar shpesh politikën josportive me atë sportive, Partizani krijonte një aureolë gjigante rreth vetes, çka e bënte atë sunduesin e paprekshëm të vetë futbollit shqiptar. I diferencuar në kushte qysh ditët e para të krijimit të tij, i fuqizuar tejet, i veshur me të drejta të jashtëzakonshme, gjithmonë nën fuqinë e petkut të paprekshëm ushtarak, Partizani i Shqipërisë, shumë shpejt shndërrohet në një klub gjigant dhe pasi ndërtohet sipas stilit të të gjitha klubeve ushtarake të të ashtuquajturave Demokraci Popullore, kishte për ta ruajtur mbretërinë e tij solide për gati 50 vjet me radhë.

Me të drejta të pakufishme, sidomos në atë të rrëmbimit të futbollistëve në çdo kohë, prej cilitdo klub tjetër, ai luajti sidomos rolin kryesor në dobësimin e dy klubeve më popullore, më të traditës, që kishte Shqipëria, siç ishin Sport Klub Tirana apo 17 Nëntori dhe Vllaznia, po dhe të tjerë, qysh nga Durrësi në Korçë, nga Elbasani në Vlorë e Kavajë. Ishte çasti kur Shqipëria po ndërtonte nën emrin e Partizanit një klub që nuk ishte parë ndonjëherë, një klub i yjeve, i një force të papërmbajtshme, çka ndërsa shkaktoi ndikime tejet të padëshirueshme në goditjen e traditës së futbollit aty ku ajo kishte lindur, nga ana tjetër ia arriti të formonte për vite të tëra një skuadër të mrekullueshme, madje legjendare, të kampionateve të Shqipërisë. Në këtë balancë të pasojave të padëshiruara, formimi i Partizanit përbën një kapitull më vete, gjithmonë të diskutueshëm, me pro e kundër, politik e apolitik, izolues dhe hapësinor, rritje të bujshme të talenteve po dhe shuarje të shumë prej tyre. Mirë apo keq, fenomeni ‘Partizani’ i shfaqur më 1946 me formimin e tij, nis më 1947 të bëhet sundues i palëkundshëm në kampionatet e Shqipërisë dhe fitoret e tij sensacionale përcaktojnë gjithë ciklin tonë historik të mëpastajmë”.

Le të vijmë tash te ndeshja e parë 17 Nandori – Partizani për Kampionatin Kombëtar të futbollit, 1947.
AUTORI TEODOR SILIQI – KRONIKANI I PARË I NDESHJES. Këtu është dhe befasia e madhe. Kemi ndër duart tona reportazhin apo kronikën e parë të ndeshjes së parë të këtyre dy skuadrave, shkruar prej një figure të shquar që është Teodor Siliqi, një figurë e shquar e prodhimit të shumë filmave shqiptarë, përveçse një mjeshtër shumëvjeçar i shahut tonë kombëtar (1931-2011). E nëse e kemi krejt të saktë vitin e tij të lindjes, del se ai nuk ka qenë më tepër se 16 apo 17 vjeç kur i është botuar ky shkrim. Është botuar në gazetën “Sporti” më 6 prill 1947. Shkrimin e keni këtu në botimin anastatik. Dhe sapo e lexon, kupton se autori ia arrin të jetë një kronikan besnik i ndeshjes.

Siliqi e quan 17 Nandorin “skuadër vendëse”, pra nuk ia jep këtë të drejtë Partizanit, sepse ai quhej i “Ushtrisë Kombëtare”. E, këtu gati-gati na duhet të heqim dorë prej emërtimit të ndeshjes së tyre si derbi, ndonëse jam ndër të parët që e kam përcaktuar si të tillë. Ndërsa sot kemi mbërritur deri aty saqë me zi e përmendim se kjo është ndeshja SK Tirana – Partizani, dy emra të lavdishëm të sportit e futbollit shqiptar, por që qenka vetëm “derbi”. Imitimet, deri në këtë shkallë, sidomos ndikuar prej televizioneve të huaja, veçan atij italian, po ia marrin frymën gazetarisë së futbollit në Shqipëri, që ka mbërritur deri aty sa që edhe ndeshjes i thotë “sfidë”, e që edhe ndeshjes së jashtë fushës i thotë “transfertë”, e plot të tjera, për të cilat më shtyn t’u kthehem përsëri shkrimeve që prishin gjuhën e bukur shqipe.

Partizani 1947 e ka fituar premierën e tij me skuadrën e Tiranës me një 4-2 spektakolar. Siliqi i përshkruan bukur golat, duke na kujtuar sot pas 69 vjetëve se kronika e shkruar e një ndeshjeje futbolli ka rregullat e saj, të tilla si saktësi, përshkrim i mënyrës së shënimit të golit, minuta të sakta, emra të cilësuar për së mbari, dhe e gjitha e përmbyllur me një gjykim vlerësimi për skuadrën fituese dhe atë humbëse. Të gjitha këto Siliqi i shtjellon në drejtshkrimin e një gegënishteje të pagabueshme e me kulturë. Dhe ka qenë vetëm 17 vjeç!

DHE KOMENTI I ANTON MAZREKUT. Ajo ditë e parë e ndeshjes së parë Partizani – 17 Nandori i përkiste Javës së Tretë të Kampionatit, për të cilën kemi një koment, merret me mend, mjaft tërheqës, të Anton Mazrekut. Ai shkruan kështu për këtë ndeshje të parë, të cilën e nëntitullon:

“Partizani fiton mjaft thellësisht kundër 17 Nandorit”.

Dhe, duke e quajtur skuadrën kryeqytetase 17 NANDORI, jo 17 Nëntori, edhe ai vazhdon, ashtu si dhe Siliqi, në gegënishten e tij të njohur:

“Ekipi i Partizanit korri nji fitore mjaft të thellë në ndeshjen me skuadrën e 17 Nandorit, tue zhvillue një lojë shumë ma të mirë se në match-in kundër Tomorit. Vijat e tija kanë qenë ma të lidhuna, kalimet e topit ma të rrjedhëshme, blloku i skuadrës ma imponues. Përparimi i ekipit ushtarak prej njenës ndeshje në tjetrën ka ra në sy menjëherë të djelën e 30 marsit. Përparim gradual, po i sigurtë. Megjithëkëte, nuk mund të thuhet se ka arrijtë në formën e vet të vjetit të kaluem. Vija e tij sulmuese shënon nandë gola në dy ndeshje, nuk janë të pakët, po shpeshherë zbrijet e saja të dentuna mbetën në zonën e rreptësisë kundërshtare, pa mundë të kalojnë vijën fatale të portës.

Skuadra jonë ushtarake përbahet prej shum lojtarësh t’aftë me cilësi teknike të shqueme dhe forca e saj do të vazhdojë të bahet gjithnji e ma e madhe me të tana vetitë e nji loje fort tërheqëse dhe të një stili t’admirueshëm. Skuadra e 17 Nandorit, çaloi të djelën e kalueme pikërisht në vijën sulmuese që u tregue e zgjidhun, e zbetë dhe pa fuqi të mjaftueshme penetrimi në radhët e skuadrës që kishte përballë. Megjithkëte, mbas shënimit të golit të saj të parë, në pjesën e dytë të ndeshjes pat nji periudhë aktiviteti të dendun dhe arriti të zbulojë edhe nji gol tjetër. Ranë në sy disa elementa të ri që premtojnë shumë, që janë të shkathët e plot vullnet, por që losin akoma me topa tepër të naltë. Duhet të fillojnë ta bajnë zakon që ta shtrojnë ma tepër lojën tue përdorë pasët e kombinimit për tokë”.

Dhe pa mëshirë, më 11 prill 1947, në ndeshjen e kthimit do ta shkatërronte deri në 8-0!

E edhe kjo është histori…

DHE MBAS MAZREKUT E MERR FJALËN GAZETARIA E SOTME. Kjo me qëllimin për të treguar se si 17 Nandori i vitit 1947 “themeloi” Partizanin e Ushtrisë Kombëtare. E duke kaluar nga Teodor Siliqi i ri, i cili e quan “skuadër vendëse” 17 Nandorin, kalojmë tek Anton Mazreku “i vjetër”, që e quan Partizanin “skuadra jonë ushtarake”. Kuptohet qartë se me Partizanin e Shqipërisë, ashtu si Jugosllavia me Partizanin e Beogradit prej të cilit kishte marrë emrin, si Bashkimi Sovjetik me CSKA-në e Moskës, si Bullgaria me CDNA-në e Sofjes, si Polonia me Legian e Varshavës, si Hungaria me Honvedin e Budapestit, si Çekosllovakia me Duklën e Pragës, si Rumania me CCA-në e Bukureshtit, si RDGJ Gjermane me Vorvartsin e Berlinit, edhe skuadra e Partizanit të Shqipërisë, në të vërtetë nuk i përkiste Tiranës, por Ushtrisë Kombëtare të të gjithë Shqipërisë, asokohe komuniste edhe ajo.

Dhe si përmbyllje, për të qartësuar historikisht këtë “themelim” të Partizanit prej 17 Nandorit më 1947, përmes kësaj ndeshjeje të parë midis tyre, po shkoj përsëri te libri im “Historia e Kampionateve të Shqipërisë 2 Vitet ‘40″. Duke marrë edhe në këtë rast këtë fragment të tij:

“Bash në këtë çast lind derbi i kryeqytetit. Është hera e parë e ndeshjes 17 Nëntori – Partizani për kampionatet kombëtare. Merre me mend, te Partizani luajnë jo pak, por plot 6 lojtarë më parë të 17 Nëntorit: Vathi, Demneri, Fagu, Sakiqi, Baçi, Lisi. Si mund të ‘durohej’ kjo skuadër kaq ‘artificiale’? Dhe Tirana që mund Tiranën. Partizani me 7 rrëmbime nuk ka mëshirë. Është një 4-2 i bukur i tij, ku përveç dy golave të Gjinalit, janë dhe dy të tjerë të një kampioni të madh të mëparshëm me Vllazninë, Hamdi Bakalli. Me këtë fitore Partizani kishte mënjanuar qysh me goditjen e parë një pretendent. Tash e mbrapa ai do të ketë punë vetëm me Vllazninë. Skeda e derbit të parë kryeqytetas paraqitej kështu në atë 4- 2 të 30 marsit 1947:

17 NËNTORI: Bonati, Kurani, Bulku, Arbana, Merja, C.Petrela, Shabani, Emiri, Borova, Hanxhari, K.Janku.
PARTIZANI: Stërmasi, Vathi, Pelingu, Demneri, Fagu, Sakiqi, Tafmizi, Baçi, Gjinali, Lisi, Bakalli.
SHËNUES: Bakalli 3′, 65′, Gjinali 43′, 48′, Emiri 51′, K.Janku 81′.
GJYQTAR: Kolec Ilia.

Morali i gjithë kësaj fabule nën emrin magjiplotë ‘Partizani’, del më qartë pas një jave, më 6 prill, në Vlorë, kur Flamurtari shkatërron 17 Nëntorin e varfëruar tejet në lojtarë prej rrëmbimeve të Partizanit. Është një 5-1 unikal në duelet Vlorë – Tiranë. Njërin prej golave e shënon edhe kompozitori i ardhshëm, Tish Daija. Kishte nisur shkatërrimi i 17 Nëntorit, viktima e parë e Partizanit…

Ndërsa Vllaznia ende do të rezistonte. I kishte dhënë Partizanit deri tani vetëm nja 2 a 3 lojtarë: Hamdi Bakallin, Isuf Pelingun, Lutfi Hoxhën. Dhe mjaft! Më 6 prill, në ndeshjen e shtyrë me ata që tash e mprapa do të mbiemëroheshin ‘ushtarakët’, edhe pse pa Loro Boriçin e Dodë Tahirin, Vllaznia ka forca për të rrëmbyer fitoren. Është një rezultat i ngushtë, vetëm 2-1, dhe golin ushtarak e realizon një ‘ish’ i Vllaznisë, Bakalli! Ja dhe skeda:

VLLAZNIA: Topalli, Gjeloshi, B.Osmani, Vasija, Koxhja, Spahia, Smajli, Shaqiri, Juka, Barbullushi.
PARTIZANI: Stërmasi, Vathi, Pelingu, Sakiqi, Fagu, Demneri, Gjinali, Baçi, Lisi, Bakalli, Merhori.
SHËNUES: Smajli 7′, Shaqiri 60′, Bakalli 64’”.

Asokohe kjo fitore shkodrane ndaj këtij Partizani që sapo kishte pushtuar gjithë Shqipërinë e futbollit ishte krejt e bujshme. Vllaznia ishte kampione në fuqi (1946) dhe të dukej se autoriteti i saj do të vazhdonte. Por jo. Historia e re e Partizanit kishte filluar tashmë, ndonëse ai e fiton kampionatin me vetëm 1 pikë mbi Vllazninë, sipas kësaj renditjeje:

rrrrrr (1)

Megjithatë, sot kjo është një pamje tejet e çuditshme. Kemi një Dinamo, që nuk është ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme ende e pathemeluar, por është Dinamo e Korçës (Skënderbeu i sotëm). Kemi skuadrën e Durrësit që quhet Ylli i Kuq; kemi skuadrën e Elbasanit që quhet Bashkimi; kemi skuadrën e Gjirokastrës që quhet Shqiponja. Dhe më e rëndësishmja e historisë: prej këtyre 9 skuadrave të titullit të parë të Partizanit, sot në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë kemi vetëm 4: Partizanin, Vllazninë, 17 Nandorin (sot SK Tirana) dhe Yllin e Kuq (sot Teuta).

Ndërkohë që po në këtë 1947, kemi perëndimin e 8 herë kampiones (me gjithë kampionatet e luftës) të deriatëhershme – Sport Klub Tirana – po të famshme, e cila sapo kishte “themeluar” Partizanin e Ushtrisë Kombëtare duke i dhuruar e pakta plot 9 lojtarë: Stërmasi, Vathi, Fagu, Demneri, Sakiqi, Baçi, Pengili, Gjinali, Lisi, 7 prej të cilëve i pamë në ndeshjen “themeluese” të sipërpërmendur. Historia me këtë 17 Nëntor që lindi Partizanin kampion dhe perëndoi vetveten, asokohe do të tregohej e pamëshirshme. Do të duheshin edhe gati 20 vjet që të mbërrinte te koha e saj e ndritur që ajo të mos i dhuronte më lojtarë Partizanit dhe të fitonte thuajse pa ia nda, kampionate të tëra…

Duke mbërritur kështu deri te një Partizan tjetër, tek ai i cili nuk do të ishte më skuadër e Ushtrisë Kombëtare, por një skuadër e kryeqytetit Tiranë, edhe ai. Për të mbërritur te ndeshja e epokës së re që unë nuk kam aspak kënaqësi ta quaj “derbi”, se më shuan jo pak dy emra legjendarë të futbollit shqiptar, sado modest që ai të jetë: Sport Klub Tiranën dhe Partizanin. Përveç të tjerave, madje, sikur më shuan vetë ndeshjen më historike të Shqipërisë së Pasluftës, këtë SK Tirana – Partizani, e cila këtë të mërkurë mund të dhurojë mbase një nga spektaklet më të paharrueshme midis tyre…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"