Hije dyshimi për stafin e ri të Dinamos, trajneri i hetuar për trafik droge. Drejtori teknik pa… karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 23:28

Hije dyshimi për stafin e ri të Dinamos, trajneri i hetuar për trafik droge. Drejtori teknik pa… karrierë

Te Dinamo sapo ka nisur një erë e re dhe shpresohet që të ketë nisur ringritja e 18 herë kampionëve të vendit, por gjithçka mbetet për t’u parë.

Porteneli444

Pranë klubit kryeqytetas është afruar një kompani italiane, me pronar Marko Pontrelin, ishpresidentin e Triestinës. Kjo kompani do të investojë te blutë tani e tutje dhe projekti ka nisur me emërimin e një stafi të ri teknik, që vjen nga Italia dhe tashmë ka nisur punën.

Trajneri i ri është Mauro Manzoni, kurse drejtor teknik Daniele Delisori. Marrëveshja mes italianëve dhe drejtuesve të Dinamos ka nisur të zbatohet, por, siç e ka pohuar edhe administratori Ismet Saliaj në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”, nuk ka ende një kontratë zyrtare të firmosur, një veprim që pritet të bëhet në vazhdim. Për momentin ka pak detaje konkrete, ndërsa nga drejtuesit e Dinamos thuhet se në merkaton e dimrit do të ndërhyhet fuqishëm për fuqizimin e ekipit. Po cilët janë drejtuesit e rinj teknikë të kryeqytetasve? Teksa kërkon informacion për ta, lindin hije dyshimi.

Dinamo trajneri

MANZONI, NËN HETIM PËR TRAFIK DROGE? – Trajneri Mauro Manzoni është një ish-futbollist i Lacios në vitet ’80. Ai është 61 vjeç dhe karrierën si trajner e ka nisur në vitin 2006, kur është pajisur me licencën përkatëse. Që prej vitit 2012 drejton ekipin e të rinjve të Vigor Melis. Nuk ka përvojë me skuadra të rriturish dhe ardhja e tij te Dinamo duket si një bast.

Ajo që bie në sy, teksa kërkon informacion për trajnerin e ri të bluve, ka të bëjë me faktin se ai ka qenë në hetim për trafik ndërkombëtar droge në vitin 1997. Në një artikull të “La Republica” të 5 shkurtit 1997, shkruhet se gjatë hetimeve për një rrjet kokaine që vinte nga Kuba, kishte dalë në skenë edhe emri i Mauro Manzonit. Në artikull saktësohet se Manzoni ishte një ish-futbollist i Lacios dhe se bënte pjesë në personat e akuzuar për këtë trafik, por nuk flitet për dënim të tij.

DREJTORI SPORTIV – Daniele Delisori është emëruar drejtor teknik i Dinamos. Për të është shumë e vështirë të gjesh informacion sa i takon karrierës në postin që do të mbajë te blutë, çka vë në dyshim nëse ka përvoja të mëparshme apo jo. Koha do të tregojë gjithçka, por edhe fakti që nuk ka pasur një prezantim zyrtar para mediave lë po ashtu dyshime.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"