Heroi i fitores në Pukë, talenti Bali: Nuk jemi rastësisht të tretët, e mundim edhe Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 22:35

Heroi i fitores në Pukë, talenti Bali: Nuk jemi rastësisht të tretët, e mundim edhe Dinamon

Admir Bali i dhuroi një fitore të madhe Besës. Me atë gol që shënoi në Pukë, skuadra sot është e treta në renditje. Mbrojtësi 21-vjeçar i dha zgjidhje gjithçkaje nga stoli dhe vetëm çerek ore para fundit, duke rezultuar “asi nën mëngë” i ekipit. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, ai thekson se kjo ecuri nuk është rastësore:

bali besa

“Sigurisht që është një ndjesi e bukur kur shënon dhe më shumë kur goli yt rezulton ai i fitores. Kapëm vendin e tretë dhe kjo ecuri nuk është rastësi. Ju na keni ndjekur në stërvitje dhe keni parë që kur dalim në seanca përveç punës ka shaka, biseda mes shokësh. Jemi me fat sepse thuajse jemi të gjithë të së njëjtës moshë dhe kuptohemi mirë me njëri-tjetrin. Të njëjtën frymë kemi edhe jashtë fushës.

Te kjo harmoni shoh edhe çelësin e suksesit tonë, pa harruar trajtimin njerëzor, prindëror që stafi teknik ka me ne. Dinamo? Do të kërkojmë fitoren e katërt radhazi. Nuk mund t’i mposhtësh aq lehtë, por derisa kemi grupin, harmoninë, nivelin, atëherë përse mos ta dëshmojmë këtë në fushë?

Kemi edhe dy ditë kohë, sot dhe nesër, për t’u dhënë fund përgatitjeve për këtë përballje. Ajo që jo vetëm mua, por na dhemb të gjithëve mbetet mungesa e tifozëve. Sot më shumë se kurrë ata na duhen jo vetëm për na mbështetur, por mbi të gjitha t’i bëjmë të gëzojnë ashtu siç e meritojnë”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"