“Hero” dhe “plangprishës”, lojtari i Apolonisë: Gati qava për kartonin e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 11:22

“Hero” dhe “plangprishës”, lojtari i Apolonisë: Gati qava për kartonin e kuq

Java e fundit foli tërësisht për Apoloninë. Skuadra e Mërgjyshit arriti një fitore “infarkti” në Pogradec, një sukses i rëndësishëm në rrugën e Superiores, pasi bardhejeshilët e kanë thelluar në 4 pikë diferencën me vendin e dytë. Ishte një ndeshje dramatike, me plot emocione, në fund festuan fierakët, të cilët e kanë mbrojtur me “shpirt ndër dhëmbë” golin e vetëm. Kanë mbetur edhe 4 javë dhe Apolonia me 4 pikë avantazh ndihet më komode në krye, por asgjë nuk ka përfunduar.
kategoria-e-pare

YMERAJ – Ishte “heroi” dhe “plangprishësi” i fierakëve, pasi shënoi golin “e artë” me atë goditje dënimi dhe e la ekipin me 10 vetë sapo nisi pjesa e dytë. Është i dyti rast që Ymeraj ndëshkohet me të kuq, pas atij ndaj Lushnjës.

“Ishte një fitore e bukur, e arritur me shumë mundim dhe e merituar. Jam i kënaqur për golin e fitores, sikurse jam ndierë keq dhe gati kam qarë për kartonin e kuq. E bëra ndërhyrjen përpara se të afrohej futbollisti i Pogradecit, me asnjë qëllim për ta dëmtuar, por gjyqtari e interpretoi ashtu dhe debatet janë të kota. Më ka ndodhur edhe me Lushnjën dhe atëherë ndihesha shumë fajtor, sepse humbëm, ndërsa këtë herë, falë Zotit, fituam. Për këtë falënderoj shokët e skuadrës. Kemi marrë 3 pikë që na forcojnë pozitat dhe na bëjnë të jemi më të qetë për ndeshjet në vazhdim. Nuk ka përfunduar asgjë, pasi futbolli ka të papritura dhe ne luajmë në një grup me tri skuadra shumë të forta. Për momentin, le t’i gëzohemi kryesimit dhe t’i marrim me radhë ndeshjet. Kur të arrijmë gjithçka matematikisht, kemi të drejtën të festojmë. Kemi bërë një kampionat shumë të mirë dhe kemi merituar atë që kemi arritur”, thotë mbrojtësi i Apolonisë, Sokol Ymeraj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"