Heq allçinë, futbollisti i Lushnjes: Ndihem ndryshe, pa futboll nuk rrihet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2020 | 18:34

Heq allçinë, futbollisti i Lushnjes: Ndihem ndryshe, pa futboll nuk rrihet

Lushnja ka zhvilluar përgatitje intensive në kuadër të sezonit të ri. Veç stërvitjes ditore në Lushnjë, skuadra verdhejeshile, e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ka zhvilluar një minifazë përgatitore në qytetin e Përmetit si dhe ka luajtur shumë miqësore. Për startin e kampionatit ende nuk është vendosur dhe ndeshjet testuese kanë qenë të domosdoshme për stafin teknik. Lushnjarët kanë luajtur deri tani 10 ndeshje të tilla, ku trajneri Gjyla është munduar ta mbajë skuadrën në tonus.
arber mone
MONE – Në miqësoren e 19 shtatorit, të luajtur në stadiumin e Peqinit me Shkumbinin, futbollisti i linjës së majtë, Arbër Mone, pësoi një dëmtim të rëndë në shpatull, por tani është drejt rikuperimit dhe pritet të dalë shpejt në fushë.

“Shumë më ndryshe jam tani. Nesër (sot) do të heq allçinë dhe do të bëj një kontroll, pastaj do të vendos se kur do të dal në fushën e stërvitjes”, është shprehur mbrojtësi 32-vjeçar për gazetën “Panorama Sport”.

Më tej, në lidhje me vonesën e gjatë të nisjes së kampionatit, fieraku i Lushnjës tha se nuk rrihet më pa futboll.

“Kjo është një situatë e pazakontë dhe të gjithë presin nga çasti në çast të fillojë kampionati. Nuk rrihet më pa futboll. Në miqësoren që bëmë në Peqin, ku unë u dëmtova, tribuna ishte mbushur plot me tifozë kishin ardhur edhe nga Lushnja. Normale, sepse njerëzit e duan futbollin dhe presin të fillojë kampionati. Lojtarët janë stërvitur, janë përgatitur, kanë zhvilluar ndeshje testuese dhe gjithçka është në funksion të kampionatit. Duhet të fillojë kampionati dhe të fitojmë emocionet e garës”, është shprehur “veterani” i verdhejeshilëve Arbër Mone.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"