Hejnkes: Festuam në dhomat e zhveshjes me pak alkool dhe muzikë, Ançeloti trajner i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2018 | 12:03

Hejnkes: Festuam në dhomat e zhveshjes me pak alkool dhe muzikë, Ançeloti trajner i madh

Trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes, ishte shumë i gëzuar pas ndeshjes që i dha titullin e gjashtë radhazi skuadrës së tij. Ai nuk harroi të uronte edhe ish-trajnerin, të cilin e zëvendësoi në muajin tetor, Karlo Ançelotin. Hejnkes do të largohet në fund të sezonit nga bavarezët. Trajneri nuk do të jetë më në krye të pankinës.

Hejnkes

Dhe pse drejtuesit, Hëns dhe Rumenige kanë tentuar ta bindin të qëndrojë edhe për një sezon tjetër. Pas kampionatit, sytë janë tek Champions-i dhe Kupa e Gjermanisë. Tripleta nuk është tabu për 72- vjeçarin që e ka fituar më parë në sezonin 2012-2013. Për mikrofonat e “Sky”, 72- vjeçari u ndal gjatë.

Bajerni fitues i Bundesligës, a jeni i kënaqur?

Sigurisht që po, por kjo nuk është vetëm fitorja ime, por e gjithë skuadrës. Herët a vonë do të vinte edhe fitimi i titullit. Ishte vetëm çështje kohe. Së bashku me kolegun tim Peter Herman, mendojmë që kjo është merita e lojtarëve.

Vetëm e lojtarëve?

Të gjithë luajmë një rol në këtë arritje. Dua të çoj urimet e mia të sinqerta në Itali te Karlo Ançeloti, edhe ai ka meritë direkte në këtë triumf. Është një trajner i madh.

Aty erdhi edhe kthesa, kur erdhët në vend të Ançelotit?

Erdha te Bajerni sepse ata nuk kishin alternativë tjetër. Ishte më shumë marrëveshje shoqërore me drejtuesit, pasi i njoh prej vitesh. Ka qenë një ndihmë e madhe edhe e lojtarëve, të cilët na mbështetën. Për të pasur sukses, nuk mjafton një individ i vetëm, por një grup i bashkuar njerëzish. Lojtarët dhe stafi duhet të jenë një trup dhe këtë mentalitet kam dashur të fusë në skuadër, që nga momenti që kam ardhur në krye të stolit.

Si ishte festa pas ndeshjes?

Festuam në dhomat e zhveshjes, pak alkool dhe muzikë të mirë. Arjen Roben ka luajtur pak në takimet e fundit? Fakti që Roben nuk luajti ndaj Sevijës ishte i planifikuar nga ana ime. Nuk doja të rrezikoja, pasi ai ka vuajtur një dëmtim që të gjithë e dimë. Sot (dje) pamë që ai është një kampion i madh. Bajerni është me fat që e ka në skuadër.

A do të lejoni ekipin të festoj sonte?

Jo, nuk ka festë sonte. Sigurisht që secili nga lojtarët mund të gëzohet. Për disa nga djemtë është titulli i gjashtë apo i shtatë në Bundesligë. Shikoni Riberinë, ka fituar shumë tituj dhe kjo i është bërë diçka normale për të. Ndërsa, për disa të tjerë është hera e parë, Syle dhe Rudy janë shumë me fat që kanë fituar kampionatin. Është diçka fantastike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"