“Harrojeni shkopin magjik…”, Kamarata ul presionin: Fati i Apolonisë nuk varet nga Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 10:27

“Harrojeni shkopin magjik…”, Kamarata ul presionin: Fati i Apolonisë nuk varet nga Bylisi

Me ardhjen e tij në pankinë, Apolonia ka dëshmuar tregues rritës, në lojë më së shumti, pasi në rezultate, ende kjo skuadër mbetet në nivele inferiore. Pas disa paraqitjeve të mira në lojë, por me humbje, për fierakët duket se është momenti i duhur për të shënjuar një hop kthese. Luajnë në Fier kundër Bylisit, ndaj një skuadre me shumë “halle” dhe nuk do të ketë vend për “apologji” nga fierakët pas kësaj ndeshjeje, nëse nuk fitojnë. Trajneri Fabricio Kamarata nuk ka frikë nga ky “derbi”, por e këshillon skuadrën e tij për kujdes maksimal, për të marrë rezultatin e dëshiruar. Kryepankina e Apolonisë flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” përpara kësaj sfide.

Kamarata Apolonia

Vini gjithmonë me deklarimet tuaja: “Kemi luajtur mirë”, por Apolonia ka pësuar 3 humbje radhazi…

Nëse opinionit sportiv i duken çudi humbjet me Tiranën, Teutën dhe Vllazninë, nuk kam çfarë të them. Po, kemi luajtur mirë, shihini ndeshjet, aty janë, dhe kemi humbur me vetëm 1 gol të pësuar, më shumë si pasojë e gabimeve tona sesa meritë e kundërshtarëve. Problemi qëndron si të korrigjohemi për të mos përsëritur gabimet, se për lojën në tërësi ndaj tri ekipeve shumë cilësore nuk ndryshoj asgjë nga ajo që kam deklaruar më parë.

Si është gjendja e skuadrës suaj përpara ndeshjes së radhës?

Mendoj se është shumë e mirë dhe në gjendje optimale. Grupi është përgatitur mirë dhe thuajse është i plotë me ndonjë mungesë të vogël, por që i kemi menduar alternativat. Ka qetësi dhe besim brenda ekipit dhe kjo gjë është pozitive përpara ndeshjes.

E nisët mirë në stolin e Apolonisë, por në 5 ndeshjet e fundit skuadra ka marrë vetëm 1 pikë me Skënderbeun dhe vetëm dy gola të shënuar…

E kam thënë edhe më parë se nuk prisja që gjërat të ndryshonin të gjitha dhe menjëherë, isha i ndërgjegjshëm për vështirësitë, sikurse jam që do të vazhdojnë. Unë dhe askush nuk ka një shkop magjik për të përmbysur situatën që në momentin e parë, ama nuk e mohon dot asnjë ndryshimin pozitiv që kemi pasur në këta dy muaj. Dikush mund të thotë se ky ndryshim vihet re më së shumti në lojë, por gradualisht do të vijnë të gjitha, edhe rezultate shumë më të mira sesa kaq e në raport me lojën tonë, dy elemente që do t’i përmirësojmë çdo ditë e më tepër.

Kamarata2

Me Bylisin, një rival direkte, është një ndeshje për “jetë a vdekje” në aspektin sportiv? Çfarë pret Kamarata nga skuadra e tij në këtë duel?

Nuk është fundi i kampionatit që t’i japim kaq ngarkesë një ndeshjeje të tillë. E vërtetë që është shumë e rëndësishme të dalësh me rezultat pozitiv nga përballjet me rivalët, por nuk duhet trajtuar si “jetë a vdekje”, sepse janë edhe 48 pikë në lojë pas kësaj ndeshjeje. Unë dhe skuadra ime nuk e mendojmë humbjen, madje as barazimin me Bylisin, pasi kemi përgatitur gjithçka për të fituar, por ama, e them përsëri, që fati i të dyja skuadrave në këtë kampionat nuk varet nga kjo ndeshje.

Do të ketë risi në formacion këtë herë, sepse në çdo ndeshjen tuajën në drejtim keni paraqitur formacione të ndryshme në fushë?

Çdo ndeshje ka specifikën e vet, ashtu si edhe kundërshtarët kanë veçantinë e tyre. Nuk ka asnjëherë formacion fiks, pasi, veç profilit të kundërshtarit, varet edhe nga forma që kanë lojtarët tanë dhe ne mbi këto parime e bëjmë përzgjedhjen e titullarëve. E kemi studiuar Bylisin me kujdes dhe kemi ideuar edhe lojtarët me të cilët do të luajmë, gjithmonë me synimin për ta fituar këtë ndeshje.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"