Hakmarrja ndaj Çelsit, Flik zbut Bajernin: Anglezët të fortë, por duam të shkojmë larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2019 | 14:44

Hakmarrja ndaj Çelsit, Flik zbut Bajernin: Anglezët të fortë, por duam të shkojmë larg

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Hansi Flik, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Fraiburgut si dhe për verdiktin e shortit të hedhur dje në Nion. Kujtojmë se bavarezët do të përballen me Çelsin në fazën e 1/8-ave të Champions-it. 

Flik2

Trajneri gjerman nuk preferoi të komentonte rreth të kaluarës ku Bajerni humbi në shtëpi finalen e Champions-it në sezonin 2011-2012 pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Çelsi është kundërshtari i ardhshëm, si e parashikoni këtë duel?

Në fazën e 1/8-ave nuk ka kundërshtar të lehtë. Çelsi është një klub që njihet botërisht. Objektivi ynë është të shkojmë në raundin tjetër pavarësisht kundërshtarit. Skuadra duhet të përballet e qetë në të dyja takimet. Do të jetë një spektakël. Do të kërkoj nga djemtë të mos e shohin si hakmarrje pasi ndeshja nuk është e njëjtë. Është një takim i rëndësishëm për objektivat sezonalë dhe asgjë më shumë, të gjithë mezi e presin duelin.

Nesër do të luani me Fraiburgun, sa e njihni kundërshtarin? 

Ata janë një skuadër e fortë në fushën e tyre. Çdo skuadër që luan kundër nesh, motivohet në 100%-in e saj. Këtë gjë duhet të bëjmë edhe ne. Nuk na lejohen më hapa falsë. Ndaj Verderit mora një sinjal pozitiv nga djemtë, të cilët duan ta mbyllin vitin 2019 me fitore.

Do të shkojmë në Fraiburg pa Goreckën i cili ka një problem muskulor dhe nuk do të jetë i gatshëm. Për Tolison duhet të presim. Martinez është rikthyer nga dënimi dhe do të jetë në dispozicionin tim.

 Çfarë mendoni për skenën e turpshme midis Kimish dhe Boateng gjatë ndeshjes me Verderin?

Janë gjëra që ndodhin në futboll. Është një lojë që luhet me shumë emocion dhe ndonjëherë ato dalin jashtë kontrollit. Kam folur me ta dhe me skuadrën dhe i kam bërë të qartë se çfarë mendoj për skena të tilla. Besoj se kjo gjë nuk do të ndodhë më në të ardhmen.

Flik

Skuadra duket se është zgjuar dhe ndaj Verderit u tregua e pamëshirshme, jeni i kënaqur?

Pësuam dy humbje, të cilat mund të ishin shmangur. Por ndonjëherë ke shumë pak gjëra në dorë të cilat mund t’i kontrollosh. Kam një skuadër të mirë, e cila mund të mposhtë këdo në kampionat. Më pëlqeu grinta e skuadrës sidomos në pjesën e dytë. Pas golit të pësuar askush nuk ishte i kënaqur dhe të gjithë reaguan menjëherë.

Kutinjo-Myler, mendoni se kjo dyshe po bën mirë?

E kam thënë edhe më përpara se Tomas dhe Filipe mund të luajnë së bashku. Nuk shoh asnjë arsye se përse kjo të mos ndodhë. Ata plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrën më të mirë të mundshme. Myler është një lojtar që na ndihmon në mbrojtje, gjë që nuk e bën dot Kutinjo.

Braziliani është më mirë në fazën e sulmit dhe kështu lojtarët mbushin boshllëqet e njëri-tjetrit. Ndaj Verderit ishte një shenjë e mirë që të dy mund të bëjnë gjëra të mira dhe ta ndihmojnë ekipin të arrijë objektivat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"