Gurishta: Marrim gola të çuditshëm, pikët e lëna po na vrasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 20:56

Gurishta: Marrim gola të çuditshëm, pikët e lëna po na vrasin

Erdenis Gurishta është “xholi” i Vllaznisë. Mbrojtësit këtë sezon i është dashur që të ndryshojë 5 herë pozicion, por kjo nuk e ka penguar që të shkëlqejë në fushë dhe jo më kot është rekordmen i minutave (me 2340′ në 26 ndeshje). Këtë e dëshmoi edhe me Bylisin, duke shënuar atë rrjetë fantastike në të 23-tën. Bëri gjithçka vetë: mori krahun, shmangu Shkallën e më pas Hidin dhe me atë të djathtë tokazi barazoi përkohësisht shifrat në 1 me 1.erdenis gurishta

E megjithatë, vetë numri 2 i kuqebluve nuk ndihet tërësisht i kënaqur pas këtij 90- minutëshi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shfaq të njëjtin shqetësim si trajneri Hysen Dedja. Nuk u jep shpjegim dot golave të çuditshëm që pësohen dhe “mefshtësisë” që shfaqin kur luajnë në “Loro Boriçi”. Gjithsesi, paralajmëron se shkodranët nuk do të dorëzohen dhe ndaj Tiranës do të bëjnë çmos që të rigjejnë fitoren.

Shkëlqyet dhe shënuat një gol të bukur ndaj Bylisit, e megjithatë në fund morët vetëm një barazim. Ju vjen keq që nuk arritët te fitorja në këtë sfidë?

Jam i kënaqur me golin, por i kompletuar do të isha vetëm nëse do të kishim marrë fitoren. Mendoj se meritonim më shumë në këtë përballje. Është për të ardhur keq që në Shkodër vazhdojmë të vuajmë.

Sa “vrasin” këto pikë të lëna?

Shumë. Dy pikë të lëna na vrasin në këto momente. Përballë një kundërshtari direkt për zonën “play out” dhe është e kuptueshme që duhet të fitonim. Po pësojmë gola të çuditshëm dhe kjo është për të ardhur keq. Këto fragmente po ndikojnë në ecurinë tonë. Gjithsesi, nuk duhet të demoralizohemi.

Keni kontestuar shumë në momentin kur Juxhin Xhaja dha 11-metërshin në dëm të Vllaznisë. Çfarë parë në ato çaste?

Edhe tani që flasim, jam i bindur se nuk ka qenë një 11- metërsh. Isha shumë pranë aksionit. Ky moment ndikoi edhe në ecurinë e lojës sonë.Gurishta

Gurishta është kthyer në një “xhol” për trajnerët, e keni të lehtë të përshtateni?

Unë duhet të jap më të mirën time aty ku më kërkohet. Nuk është aspak e lehtë që të përshtatesh me pozicione të ndryshme. Megjithatë, kur stafi ka besim tek unë, atëherë më del detyrë të bëj më të mirën për të justifikuar atë pozicion që më ngarkohet.

Të premten do të luani përballë Tiranës në “Selman Stërmasi”. A mund të vijë kthesa në javën e 30-të?

Është një ndeshje mes dy rivalëve historikë. Nuk ka shumë rëndësi se ku luhen takimet apo në çfarë pozite është njëra apo tjetra. Të dyja ekipet japin më të mirën e tyre në të tilla përballje. Pas humbjes me Teutën edhe Tirana është nën presion, ndaj do të bëjmë maksimumin që t’i marrim pikë në këtë takim. Kjo është shumë e rëndësishme për ne.

Para tri sezonesh i keni dhënë fitoren Vllaznisë në mes të kryeqytetit, do të dëshironit të përsëritej historia?

E kush nuk do ta donte një gjë të tillë. Por, për mua ka më shumë vlerë të marrim maksimumin, pastaj se cili shënon nuk ka rëndësi.

Vendi ku ndodheni në klasifikim nuk është aspak komod. Sa shanse ka Vllaznia që t’i largohet rrezikut?

Unë jam i bindur se Vllaznia ka forca ta lërë pas vendin në të cilin ndodhet deri në fund të sezonit. Duhet që të mos demoralizohemi por të shikojmë përpara dhe të besojmë deri në fund. Pas këtyre tri takimeve që kemi zhvilluar në Kupë e kampionat, kam konstatuar dhe për këtë jam i bindur se vetëm ne, Vllaznia, me sa duket, kemi respektuar deri në fund karantinën. Gjithsesi, shpresojmë që të rigjejmë formën e duhur dhe të arrijmë atë që kërkojmë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"