Gjysmëfinalja mes fqinjëve, ja 5 duelet që të çojnë në Moskë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2018 | 19:36

Gjysmëfinalja mes fqinjëve, ja 5 duelet që të çojnë në Moskë

Belgjika për herë të parë në historinë e saj shpreson të arrijë në një finale Botërori, sidomos pas leksionit që i dha Brazilit. Trajneri Martinez ka në duar një gjeneratë fantastike talentesh që mund të gëzojnë vendin me dhjetë milionë banorë me një Kupë Bote. Përballë është Franca, një komb i regjur me suksese, por vetëm më një trofe botëror në palmares. E përditshmja franceze “Francë Football” ka analizuar sfidën e sotme, duke kaluar në pesë pika kyçe që mund të vlejnë për një biletë në finalen e 15 korrikut në Moskë.

belgjike francee

Kilië Mbape kundër Jan Vertongen

Adoleshenti francezi iu prezantua përfundimisht botës së futbollit me një gol fantastik kundër Argjentinës së Mesit. Me tre gola të shënuar në këtë kampionat, 19- vjeçari paraqitet si një nga rreziqet më të mëdha të “Gjelave” ndaj Belgjikës. Me më shumë se 100 ndeshje në kombëtare, Vertongen duhet të kapet pas përvojës për të ndalur shpejtësinë e Mbapesë, që në këtë Botëror ka djegur edhe mbrojtës të tjerë.

Romelu Lukaku kundër Samuel Umtiti

Ky duel paraqitet edhe si më i ekuilibruari. Sulmuesi belg ka forcë dhe centimetra. Pesha është një faktor i rëndësishëm pasi mes tyre ka thuajse 20 kilogramë diferencë, por shpejtësia duhet të ndihmojë Umtitin të kompensojë këtë mangësi në fizikun e tij. Katër gola, po aq ndeshje nga ana e sulmuesit të Belgjikës, nuk i kanë mundësuar një gjumë të qetë francezit, që sot duhet të bëjë kujdes, sidomos nëse Lukaku vendos të spostohet në të majtë për t’i lejuar rolin si pykë De Brujnes. Në këtë rast do të duhet të “futet” në lojë Varan, por fundja dyshja franceze është mësuar me të tilla sakrifica.

Paul Pogba kundër Maruan Felaini

Dyshja e Mançester Junajtid do të duhet të punojë e ndarë për një mbrëmje. Përveç kritikave për ndeshjet në klub, manitë për modelin e flokëve, ata kanë gjithashtu karakteristikat tekniko-taktike të njëjta, me stilin që bën diferencën. Belgu është më praktik dhe nuk ngurron në ndërhyrjet e ashpra, teksa Paul preferon një lojë më fine dhe spektakolare. Sfida midis tyre sot do të vendosë “pronarin” e mesit të fushës dhe mbase edhe të ndeshjes.

Antuan Grizman kundër Aksel Vitsel

Kjo është sfidë brenda sfidës, por edhe një dyluftim atipik. Rrezja e veprimit për belgun duket se do të jetë më e limituar si zakonisht, teksa numri 7 francez do të duhet të pengojë që rivali të nisë lojën dhe të ndërtojë manovrën. Sakrifica duket se do të jetë refreni i këtij dueli, me Grizman që gjithashtu do të duhet të japë edhe kontributin e zakonshëm në nivel golash, i favorizuar nga prania në fushë e një farë Ngolo Kante.

Olivie Zhiru kundër Vinsent Kompani

Kjo do të jetë një tjetër përballje fizike në gjysmëfinalen e sotme. Sulmuesi i Çelsit do të kërkojë hapësirën për vete dhe shokët, teksa kapiteni i Sitit do të mundohet t’ia bëjë jetën ferr siç ka ndodhur edhe në ndeshjet e kampionatit anglez. Pesha dhe centimetrat edhe në këtë duel janë faktorë me dyshen që gjatësinë e kanë identike, por francezi, me 93 kilogramë, është 7 më shumë se Kompani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"