Gjysmat nuk luajnë, Silvinjo e nis me… stres. Ja situata me lojtarët e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2023 | 22:48

Gjysmat nuk luajnë, Silvinjo e nis me… stres. Ja situata me lojtarët e Kombëtares

Opinioni publik mësoi emrin e trajnerit të ri të Kombëtares, brazilianit Silvinjo, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Edi Rejën dhe është sjellë në Shqipëri për një objektiv të vetëm: të kualifikojë ekipin kombëtar në “Euro 2024”. Prezantimi do të bëhet ditën e hënë dhe në vazhdim Silvinjo do të nisë një tur në Europë për të parë nga afër futbollistët shqiptarë, të paktën ata që janë grumbulluar kohët e fundit. Kjo do t’i shërbejë trajnerit 48-vjeçar për të krijuar një ide më të mirë për grupin e lojtarëve që do të drejtojë.

silvinjo shqiperia

Edhe pse halli i trajnerit tanimë është zgjidhur, ajo që harrohet mbetet forma e lojtarëve kuqezinj dhe vazhdimësia e tyre në klubet përkatëse.

Nëse Silvinjo do të nisë një tur për t’i ndjekur nga afër, do të krijojë mendimin dhe do të vlerësojë vetëm pak kokrra. Pse? Sepse sot futbollistët e ekipit kombëtar kanë probleme me minutat dhe pjesa më e madhe nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre.

Nëse Silvinjo do të mjaftohet vetëm me emrin e klubit, që në disa raste është emër i madh, atëherë a i vlen kjo gjë përfaqësueses? Është e vërtetë që Kombëtarja ka vetëm një ndeshje në muajin mars për kualifikuese dhe dy të tjerat janë në qershor, por që të shkojmë të përgatitur ndaj Polonisë së fortë, duhet të kemi edhe lojtarët e duhur dhe në gjendjen e tyre fizike më të mirë.

Kjo vjen duke marrë minuta dhe duke u bërë faktor në ekipin përkatës. Sot që flasim, nëse i hedhim një sy listës së lojtarëve që Edi Reja grumbulloi në vitin e fundit, problem i madh janë minutat sepse realisht një pjesë e madhe e tyre ngrohin stolin në ekipin ku janë dhe një pjesë tjetër kanë vuajtur dëmtime, të cilat ndodhin në futboll, por disa edhe shqetësime të shpeshta.

SITUATA- Nëse Silvinjo do të përpiqet që t’u transmetojë lojtarëve idetë e tij në aq pak seanca stërvitore që do të ketë në dispozicion, duhet që edhe lojtarët t’i përgjigjen. Sa u përket situatave të lojtarëve kuqezinj në klubet e tyre, muaji i parë i vitit 2023 i gjen ata kështu: Dy portierët kryesorë nuk janë titullarë, Strakosha vetëm një ndeshje në Kupë këtë sezon, ndërsa Berisha asnjë paraqitje. Alternativë mbetet Kastrati, i cili po luan, por i mungon eksperienca.

Marash Kumbulla po kalon sezonin me më pak minuta te Roma, vetëm 49 të tilla deri tani dhe nuk llogaritet nga Murinjo.

Elseid Hysaj sërish është një lojtar stoli te Lacio e Sarrit dhe aq minuta sa është aktivizuar ka mbuluar krahun e majtë.

Kastriot Dermaku mungon prej muajsh me Leçen për shkak dëmtimi. Frederik Veseli sapo është kthyer nga dëmtimi dhe po luan ndeshjet e para me Beneventon në Serinë B, pasi te Salernitana në A nuk po gjente hapësira.

Po ashtu edhe Gjimshiti i ka pasur minutat e reduktuara, kjo për pasojë se mbrojtësi nuk ka shumë kohë që është kthyer nga dëmtimi, por së fundmi flitet se mund të kalojë te Monza për të luajtur më shumë.

Edhe Ermir Lenjani e nisi titullar në Turqi me Umraniesporin, por në dy ndeshjet e fundit nuk është aktivizuar asnjë minutë.

Të vetmit që po luajnë rregullisht janë Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Enea Mihaj dhe Ardian Bajrami, ky i fundit në kampionatin U-23 në Portugali. Këtu përfshihen edhe lojtarët e kampionatit shqiptar, që janë titullarë të padiskutueshëm me klubet e tyre si Bitri, Hadroj apo Gurishta.

MESFUSHA- Një repart po me aq probleme duke nisur nga dëmtimi i Keidi Bares.

Kristjan Asllani nuk po aktivizohet aspak nga Inzagi tek Interi.

Endri Çekiçi dhe Klaus Gjasula sapo janë kthyer nga dëmtimet që i kanë lënë jashtë fushe për disa muaj.

Abrashi në Zvicër ka pasur probleme të shpeshta muskulare.

Qazim Laçi kaloi nga Azhakso te Sparta e Pragës, kjo edhe për të marrë minuta pasi në Francë minutat ishin me pikatore.

Po ashtu edhe për Enis Çokajn e Panathinaikosit minutat janë në pritje, ndërsa të njëjtën gjë po vuan edhe Nedim Bajrami me Paolo Zanetin tek Empoli.

Ndërkohë, të paktë janë ata që po luajnë rregullisht, ku mund të përmendim vetëm Ylber Ramadanin dhe Odise Roshin.

SULMI- Një lajm tronditës ishte dëmtimi i rëndë i Armando Brojës, i cili ka mbyllur sezonin.

Ndërsa sa i përket pjesës tjetër, Rei Manaj që sapo u kthye nga një mungesë e gjatë, u dëmtua sërish dhe ka humbur mbi 20 ndeshje deri tani me Uotfordin.

Sokol Cikalleshi u transferua në kampionatin arab, një nivel disi më i ulët se Koniaspori ku ishte, por e rëndësishme është që po luan.

Gjithashtu edhe Myrto Uzuni, i cili është lojtari më në formë nga kuqezinjtë, ku po shkëlqen në Spanjë.

Ndërkohë, edhe Taulant Seferi po luan në Ukrainë, edhe pse një vend, i cili e ka vëmendjen te lufta me Rusinë. Sa i përket Ernest Muçit, ishlojtari i Tiranës është aktivizuar rregullisht, edhe pse jo me minuta të plota.

Xhakomo Vrioni i transferuar në SHBA i është larguar edhe më shumë ekipit kombëtar.

Ndërkaq, alternativë mbeten edhe lojtarët e kampionatit shqiptar si Skuka, Cara apo edhe ndonjë emër tjetër, të cilët treguan veten e tyre në miqësoren e fundit.

statistikat 1

statistikat 2

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"