Gjyqtarët bëjnë ligjin, në Laç mungojnë dy penallti. Sino dhunon gjirokastritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 22:52

Gjyqtarët bëjnë ligjin, në Laç mungojnë dy penallti. Sino dhunon gjirokastritët

Në takimet e djeshme, arbitrimi ka pasur shumë momente për moviolë:

LAÇI-KAMZA 2-0

Gjatë ndeshjes së djeshme, të gjykuar nga Ardian Beqiri, mungojnë dy penallti. Jo vetëm kaq, por ndeshja del nga kontrolli që në minutën e 17-të, për një faull inekzistent, ku miqtë mbesin me dhjetë veta. Më tej, gabimin e kryesorit e pason edhe anësori, i cili nuk akordon një pozicion flagrant jashtë loje të kurbinasve.

17′ Uzuni në duel me Çukoviç, pasi e driblon, rrëzohet dhe fiton faull. Ka protesta të miqve pasi faulli ishte inekzistent, por Frashëri e Çukoviç ndëshkohen me të verdhë. Më tej, protestat bëjnë që Frashëri të ndëshkohet me të kuq.

20′ Lulaj në pozicion të dukshëm jashtë loje, por anësori vijon lojën. Protestojnë futbollistët e Kamzës, të cilët ndërpresin edhe lojën.

42′ Kuqi ndërhyn ashpër ndaj Rexhinaldos, kalon vetëm me këshillim. 52′ Shtubina futet në zonën e Kamzës nga e djathta, mes Plakut e Fukuit dhe rrëzohet, por për kryesorin Beqiri nuk ka penallti, edhe pse faulli brenda zonës është flagrant.

67′ Aksion i miqve me Malajn që futet bukur në hyrje të zonës, asiston në zonë për Plakun, i cili pëson një ndërhyrje nga pas. Ndërhyrja e Lulajt në këmbët e kapitenit të Kamzës dhe pa e prekur fare topin nuk mjaftojnë që kryesori Beqiri të akordojë 11-metërsh.

emirjon sino

SKËNDERBEU-LUFTËTARI 2-1

Në minutën e 11-të, Aliti duhej të ishte ndëshkuar me karton të verdhë, për një tërheqje që ka pasur ndaj Abazajt. Nëse kartoni do të ishte akorduar në minutën e 58-të, Aliti do të ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë, të kuq.

-Në minutën e 24-të, Osmani bën një ndërhyrje të ashpër ndaj Rrocës, por kryesori Emirjon Sino e fal dhe nuk e ndëshkon me kartonë të verdhë.

-Në minutën e 44-të, Soue rrëzohet në zonë pasi portieri i Luftëtarit i del përpara. Kryesori jep 11-metërsh në favor të Skënderbeut, por në pamjet filmike duket qartë se nuk ka pasur kontakt mes portierit dhe sulmuesit dhe vendimi i kryesorit ka qenë i gabuar.

-Në minutën e 48-të, një krosim i gjatë për Rrocën në zonën korçare ndalet fillimisht nga Mici me dorë dhe kryesori nuk akordon 11-metërsh në favor të Luftëtarit në momentin e parë. Më pas, mbrojtësi i Skënderbeut tenton të gjuajë topin, por godet këmbën e lojtarit kundërshtar, duke shkaktuar për herë të dytë penallti, por edhe në këtë rast gjyqtari vazhdon lojën, duke gabuar bashkë me anësorin Ilir Tartari, i cili kishte një pamje më të qartë.

LUSHNJA-TEUTA

2-3 -Në minutën e 45-të, Papa i del përpara Hilës dhe kërkon të godasë topin me kokë. Hila rrëzohet në pritje për të marrë topin. Gjyqtari Kola jep një penallti shumë të dyshimtë.

-Në minutën e 68-të, Canka ka kërkuar të godasë jashtë zonës. Në kërkim të hapësirës ka tentuar të kalojë Shkallën, por qendërmbrojtësi durrsak e ka kapur topin me dorë. Gjyqtari nuk e ka ndalur lojën.

-Në minutën e dytë të shtesës, Peqini kërkon të zotërojë topin në hyrje të zonës, por duket se e ka të pamundur. Korreshi është disi larg tij, por duket një kontakt i lehtë, në këmbën e djathtë të Peqinit. Edhe gjyqtari është larg aksionit, por jep goditje dënimi për Teutën, nga ku vjen dhe goli i tretë. Ka protesta të Korreshit që ishte dhe mbrojtësi i fundit, por për gjyqtarin është faull dhe karton i verdhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"