Gjyla do me çdo kusht ngjitjen në Superiore: Dua afrime në çdo repart, që të mos na dhëmbë koka…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 19:06

Gjyla do me çdo kusht ngjitjen në Superiore: Dua afrime në çdo repart, që të mos na dhëmbë koka…

Ilir Gjyla nuk heq dorë nga merkato. Trajneri pret ende afrime për të pasuruar stolin dhe këtë e thotë hapur në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”. “Mendoj se në Pogradec arritëm qëllimin për të cilin kryem këtë fazë përgatitore. Donim të arrinim rezistencën speciale ose të përgjithshme meqenëse dihet pozicioni ynë këtu, për fushën, për terrenet. Kishim një terren atje, ndoshta një terren jo shumë i përshtatshëm dhe cilësor, por gjithsesi kishim një. Megjithatë, unë them që ditët që ishim në Pogradec ishin pozitive. Mendoj se këta futbollistë që kishim në dispozicion e kanë pranuar dhe e kanë marrë ngarkesën 100%.

Ilir-Gjyla-Peqin

Prandaj, duhet që të vazhdojmë të punojmë. Ajo që na shqetëson më shumë është numri. Dhe kur them numri, u referohem atyre që janë më afër për të luajtur, pra që kanë cilësi. Është e vërtetë që ne punuam me 23 futbollistë dhe duhet thënë që të gjithë e pranuan 100% ngarkesën. Megjithatë, skuadra kërkon afrime. Një skuadër që pretendon ka nevojë për sa më shumë lojtarë cilësorë dhe kemi nevojë në çdo repart. Lushnja ka nevojë për përforcime. Megjithatë, do të shikojmë edhe këto ditë. Nuk them se kemi biseda me ndonjë, pastaj do të vazhdojmë me këta futbollistë që kemi sepse jo pa qëllim i kemi përgatitur. Me këta që kemi do të vazhdojmë të pretendojmë”, deklaroi fillimisht numri një stolit.

MERKATO – Prej disa javësh, klubi lushnjar ka mbetur në “vendnumëro” për sa i përket merkatos. “Nëse nuk do të realizohen afrimet?! Nuk na mbetet tjetër, veçse t’iu marrim maksimumin lojtarëve që kemi. Dua ta theksoj, jo se futbollistët që kemi nuk kanë kondicionin fizik, por një skuadër ka nevojë për të paktën 15-16 elementë cilësorë, në mënyrë që të mos të na dhembë koka kur do të kryesh një zëvendësim.

Kampionati është i gjatë, do të ketë shumë kartonë apo dëmtime. Duhet të ketë sa më shumë lojtarë që të jenë cilësisht afër titullarëve. Megjithatë, e thashë edhe një herë, në skuadër prandaj punohet. Nuk do të tërhiqemi, por do të vazhdojmë deri në fund”, deklaroi Gjyla.

MIQËSORET – Skuadra do të luajë edhe dy takime miqësore para se të nisë java anti-Tomor. “Kemi një miqësore me Besëlidhjen, ditën e mërkurë. Është e vendosur. Do të shikojmë për ndonjë tjetër miqësore, ditën e shtunë”, përfundoi trajneri.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"