Gjimshiti: Strakoshës i kam borxh një pije, ja si sillen me ne tek Atalanta (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 19:54

Gjimshiti: Strakoshës i kam borxh një pije, ja si sillen me ne tek Atalanta (E PLOTË)

Bëri një ndeshje të mirë, duke përjashtuar pasimin e gabuar që u shpëtua nga Strakosha, referuar faktit që ishte për herë të parë si lider i prapavijës. Berat Gjimshiti, pas sfidës me Izraelin, tregon për “Panorama Sport” emocionet e startit, përshtypjen për debutuesit dhe mbi të gjitha premtimin për Strakoshën që e shpëtoi në atë rast.

gjimshiti

Jo vetëm kaq, por mbrojtësi zbardh edhe prapaskenat e merkatos, si dhe sekretin e Atalantës. “Papu Gomez? Bën diferencën në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Është kapiteni”, tregon Gjimshiti.

Shqipëria e nis me këmbën e mbarë si para katër vitesh…

Kishte shumë rëndësi që këtë kompeticion ta nisnim me këmbën e mbarë.  Kemi bërë një ndeshje të mirë faktikisht dhe mendoj se kemi mbajtur shumë mirë topin. Megjithatë, ka vend edhe për shumë përmirësime, pasi ata krijuan disa raste për shënim ku kishin shans për të na ndëshkuar. Megjithatë, duke përmirësuar këto, do të mendojmë edhe për ndeshjen tjetër, në të cilën shkojmë dhe shpresojmë për të marrë tjetër fitore.

Kishte disa të rinj në formacion, sa u përshtatën me pjesën tjetër?

Mendoj se janë integruar shumë mirë. Të tregoj të vërtetën dhe të jem i sinqertë, nuk e kam njohur Binakun. Ai duhet të vinte herën e fundit, por prej dëmtimit nuk erdhi. Më ka befasuar! Ishte i qetë, luajti mirë dhe është shumë e rëndësishme kur të rinjtë japin kontributin e tyre menjëherë. Ashtu si edhe Prenga kur u fut në fushë, që bëri shumë mirë.

Si e vlerësoni paraqitjen tuaj në këtë ndeshje?

Hmmm (mendohet). Do të doja shumë që të thosha mirë, por kam pasur dy apo tre gabime që nuk duhet t’i bëj. Megjithatë, ndodhën. Unë mundohem gjithmonë që të jap maksimumin për këtë fanellë për të ndihmuar kombëtaren, por ja që ndodhi. Në fushë duhet edhe pak fat.

Në një prej atyre gabimeve kërkuat menjëherë ndjesë te bashkëlojtarët. A mendoni se i keni ndonjë “borxh” Strakoshës për atë që shpëtoi?

(Qesh…) Po, i thashë menjëherë pas ndeshjes që të kam borxh një të qerasur. Përtej batutave, e falënderova shumë që ma hoqi atë gabim që shkaktova dhe Tomi ka bërë një superndeshje.

Çfarë ndodhi gjatë merkatos me ju?

Në fakt, shumë gjëra ndodhën. Një muaj përpara se të kryhej transferimi fola me drejtorin e Atalantës dhe më duhet të largohesha. Ai më tha se jam i lirë që të gjeja një ekip dhe për këtë e kam falënderuar që u tregua i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë me mua. Më tej, pas ndeshjeve në Serinë A, them se bëra sezon të mirë personalisht, edhe pse për fat të keq ramë nga liga. Nisa të bisedoj me disa skuadra e më tej, ishte një prej mbrojtësve të Atalantës që u ble këtë vit, i cili pësoi dëmtim. Kjo pastaj bëri që të më merrnin në telefon në momentet e fundit dhe më thanë që “duhet të rikthehesh”. Më erdhi çuditshëm, pasi isha i lirë për të gjetur ekip, por u riktheva dhe të jem i sinqertë e kisha mendjen që do të largohem sepse nuk do të kisha vend. Dhe në fakt, ua kam bërë me dije edhe drejtuesve kërkesën për t’u larguar, ashtu siç ata më thanë në fillim.

Jeni penduar që zgjodhët të qëndronit?

Jo, nuk pendohem sepse Atalanta është një skuadër shumë e mirë. Në fakt, unë nuk prisja që të kisha mundësi të luaja. Megjithatë, të gjitha kanë shkuar mirë sepse deri më tani kam luajtur katër ndeshje që në total, besoj se kanë qenë mirë.

Edhe këtë vit me një shqiptar në skuadër…

Është mirë gjithmonë. Vjet kisha Memushajn dhe tani Berishën. Është mirë kur ke shqiptarë në skuadër, të cilët janë profesionistë në ekipet italiane. Jemi të gjithë krenarë kur shohim një shqiptar që arrin të luajë në ekipet më të mira. Për më tepër, kur ke një të tillë në ekip, është një shok më shumë i gatshëm që në start.

Ju ngacmojnë me batuta për faktin që rrini bashkë?

Po, ndonjëherë ka ngacmime. “Hej albanesi” (hej shqiptarë). Mirëpo, çdo herë në kuadrin e shakave që bëhen në grup, asnjëherë me tendencë.

Kush është personi më ngacmues në ekip?

Më shumë shaka bën Gomez. “Papu” është njeriu më i gjallë edhe në dhomat e zhveshjes. Mirëpo, të gjithë janë njerëz të lidhur dhe jemi skuadër që rrimë të gjithë bashkë e jemi miq me të gjithë. Kjo është edhe një nga pikat më të forta të Atalantës dhe si mund të them, çelësi i suksesit.

Po rolin e kapitenit si e bën Gomez?

Ai di edhe të mbledhë skuadrën, ashtu siç bën edhe shakatë në rrjete sociale. Është lojtari që bën diferencën në skuadër. Ai i di vlerat e tij dhe të gjithë në Itali e dinë çfarë vlerash ka “Papu”. Di të them që është një njeri tejet pozitiv dhe, siç bën diferencën në fushë, e bën edhe në dhomat e zhveshjes si njeriu më i “gjallë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"