Gjici mban fjalën për rrogat, Kukësi vë kusht finalen e Kupës. Ja situata aktuale te klubi verilindor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 8:21

Gjici mban fjalën për rrogat, Kukësi vë kusht finalen e Kupës. Ja situata aktuale te klubi verilindor

Të hënën e kaluar ekipi i Kukësit bojkotoi stërvitjen e shkak u bë ana financiare. Megjithëse drejtuesit e klubit nuk e pranuan publikisht se ishte kështu, e vërteta ishte ashtu siç u publikua nga gazeta. Presidenti Safet Gjici theksoi po atë ditë se ekipi do të paguhej ditën e hënë, pra pas ndeshjes me Bylisin dhe kreu i klubit e mbajti fjalën.

Safet Gjici

Ditën e djeshme pas stërvitjes ekipi shkoi pranë zyrave të klubit dhe tërhoqën rrogën e muajit shkurt. Ndërsa muajt e pandemisë, të cilët janë paguar me pagën e luftës nga federata, nuk do të paguhen nga klubi. Palët kanë bërë pakt që muajt që skuadra ka qenë pushim, skuadra do të mjaftohet me pagën minimale të dhënë nga FSHF-ja.

Kukësi ka një buxhet mujor rrogash prej rreth 50-60 mijë eurosh në muaj, ku rekordin e mban Vasil Shkurtaj me 7 mijë euro në muaj, më pas vijojnë Abazaj me 6 mijë që ia paguan Kukësi dhe 14 mijë Anderlehti, më tej vazhdojnë Musolli me 5 mijë e më tej Gavazaj e Rroca me nga 4500 euro.

Gjithsesi, ekipi me kalimin më tej në finale të Kupës do të përfitojë edhe pjesën tjetër të rrogave. Kukësi pati një ngërç sa i përket ecurisë dhe marrëdhënieve pas humbjes me Laçin, takim që i dha fund edhe ëndrrës me emrin titull. Por, pas zgjidhjes së çështjes së pagave dhe mbledhjes që palët zhvilluan ekipi bëri menjëherë kthesë, ku fitoi edhe në takimin e dytë ndaj Apolonisë dhe kaloi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe mundi Bylisin në kampionat. Kupa e Shqipërisë është objektivi kryesor i Kukësit.

ORARI – Për shkak të temperaturave të larta drejtuesit do të ndryshojnë, përveç orareve të stërvitjeve, edhe oraret e ndeshjeve zyrtare. Klubi i Kukësit ka vendosur që takimi i parë i gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë kundër Teutës dhe të gjitha takimet e tjera si ekip pritës në kampionat t’i zhvillojë në “Elbasan Arena” në orën 20:45. Klubi verilindor e mori këtë vendim për shkak të motit të nxehtë dhe thatësirës së madhe që po vështirëson zhvillimin e ndeshjeve në kushte të përshtatshme.

NJOFTIMI I KUKËSIT – “Skuadra jonë luan ndeshjen e radhës në Kupën e Shqipërisë ndaj Teutës për gjysmëfinalet. Takimi me Teutën do të zhvillohet të enjten në stadiumin ‘Elbasan Arena’ duke nisur nga ora 20:45 dhe do të jetë pa praninë e tifozëve.

Pas fitores ndaj Bylisit ditën, trajneri Shehi u shpreh i kënaqur për 3 pikët e marra në një ndeshje të vështirë, por edhe të rëndësishme. Duke parë temperaturat e larta që po pushtojnë vendin tonë, klubi ka vendosur që ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit si pritës, të zhvillohen në stadiumin ‘Elbasan Arena’ dhe të gjitha do të luhen në orën 20:45”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"