Gjici dhe Mici: Kukësi nuk toleroi, fati qe me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2016 | 11:19

Gjici dhe Mici: Kukësi nuk toleroi, fati qe me Partizanin

Kukësi humbi sfidën me Partizanin, një ndeshje që i pati të gjitha në fushën e lojës, humbës dhe fitues, grintë, lojë të bukur, lojë të ashpër, kartonë të verdhë, kartonë të kuq, lëndime e dëmtime, penallti të humbur dhe gol të shënuar në minutën e 93-të.kukesi partizani Përpos këtyre elementëve, drejtuesit dhe futbollistët kuksianë janë përballur me akuzat dhe fjalët e shumta të opinionit sportiv në Shqipëri, pikërisht për këtë humbje.

Në rrjetet sociale shumë qytetarë kanë komentuar e shkruar në adresat dhe statuset e futbollistëve, fenomen i cili i ka ndodhur edhe Gledi Micit pas postimit të një fotoje, ku shfaqet evitimi i një goli të sigurt nga ana e mbrojtësit. Mici i ka hedhur poshtë akuzat dhe aludimet e ngritura nga tifozët në profilin e tij. Drejtuesit e skuadrës së Kukësit s’e kanë pranuar kurrsesi një fakt të tillë.

Madje, edhe vetë presidenti i klubit, Safet Gjici, ka reaguar fort në lidhje me këto akuza. I pyetur nga “Panorama Sport” Gjici i quan dashakeq të Kukësit ata që e akuzojnë me dashje skuadrën për këtë takim, në të cilin nuk e deshi fati ku u humb edhe një penallti.

“Ata njerëz që akuzojnë Kukësin për këtë ndeshje, nuk e duan skuadrën kuksiane, por janë dashakeqësit e klubit. Ndeshja u pa që e fitoi Partizani, pasi fati nuk na deshi që me humbjen e penalltisë nga sulmuesi ynë”, tha fillimisht Gjici.

Më pas presidenti tregon historikun e Kukësit, që shquhet për moslënie apo tolerim ndeshjesh, si në kampionatin shqiptar ashtu dhe në Kupat e Europës. “Kukësi prej vitesh as s’ka lënë dhe as do të lërë apo tolerojë ndonjëherë ndeshje, jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe në Kupat e Europës, siç e kemi treguar prej kaq vitesh. Të hënën fati nuk ishte me ne, pastaj futbolli është edhe fat”, përfundoi presidenti i skuadrës kuksiane.

Mici – Në të njëjtën linjë me presidentin është dhe mbrojtësi i majtë i Kukësit, Gledi Mici, i cili është përfshirë dje në debat me tifozë në “Facebook” rreth dyshimeve të ngritura për humbjen ndaj Partizanit. Por, ja çfarë thotë Mici për këtë çështje në një prononcim për gazetën.

“Për sa u përket zërave apo atyre që shkruhen, unë e them me bindje të plotë se nuk ka pasur asnjë tolerim apo lëshim nga ne ndaj Partizanit. Duke iu referuar kohës që kam luajtur me Kukësin, asnjëherë nuk ka pasur tolerim, madje edhe me pjesëmarrjen në Europë, ku mundësitë për të përfituar janë më të mëdha.

Presidenti ynë nuk na kërkuar kurrë të tolerojmë as në stërvitje dhe jo më në ndeshje zyrtare të këtij niveli. Kështu që të gjitha aludimet janë amatore, mendoj unë. Ne vazhdojmë punën, ecim përpara”, u shpreh Mici për “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"