Gjakovarja kuqezi: Duhet të tregohemi profesioniste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2017 | 16:20

Gjakovarja kuqezi: Duhet të tregohemi profesioniste

Futbolli do të përballë Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtete kundërshtare. Kështu ndodhi me ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës “Francë 2019” në futboll për femra. Në fakt, kjo përballje do të jetë e veçantë për mbrojtësen e kombëtares kuqezi, gjakovaren Cyme Lulaj.

Cyme Lulaj

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mbrojtësja e skuadrës së Kinostudios në kampionatin shqiptar shprehet se do të jetë emocionuese për të gjitha futbollistet, por edhe për tifozët kur të këndohet himni kombëtar. Për më tepër, sipas titullares së përfaqësueses, që eliminatoret do të zhvillohen në shtetin amë, sikurse e quan ajo.

“Është një emocion shumë i veçantë. Është një ndeshje ku do të përballet ‘nëna’ me ‘të bijën’. Shpresoj që të vijë ajo ditë që të jemi një. Por, derisa të vijë ajo ditë, ne duhet të tregohemi profesioniste dhe të japim maksimumin në fushën e lojës. Do të jetë tepër emocionuese për të gjitha lojtaret, ashtu edhe për tifozët kur të këndohet himni kombëtar. Siç dihet, tashmë ndeshjet do të zhvillohen nga data 6-11 prill dhe më e veçanta është sepse ndeshjet zhvillohen në shtetin amë Shqipëri”, shprehet Lulaj.

Pjesë e rregullt në grumbullimet kuqezi të futbollit të femrave në arenën ndërkombëtare, Lulaj shpreson përse jo për një kualifikim të dyfishtë për në fazën tjetër si Shqipërisë dhe Kosovës. “Shpresoj si Shqipëria dhe Kosova të kualifikohen në këto paraeliminatore dhe të tregojnë që edhe futbolli shqiptar ka vlera dhe se vetëm me punë dhe përpjekje mund të arrijnë lart e më lart”, shton ajo.

Pyetjes nëse do të tundonte ideja për të lënë Shqipërinë për fanellën e vendlindjes, Lulaj u përgjigj: “Unë këtu ndihem si në shtëpinë time. Shpresoj të vijë dita të bëhemi një, që të mos kemi këto zgjedhje që janë shumë të vështira për çdo lojtare. Kohët e fundit është përfolur për krijimin e një lige të përbashkët, kjo rrjedhimisht sjell edhe një kombëtare. Pra do të ishte kombëtarja e gjithë Shqiptarisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"