Gatuzo ngre zërin për merkaton: Nuk krahasohemi dot me Juventusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2018 | 22:45

Gatuzo ngre zërin për merkaton: Nuk krahasohemi dot me Juventusin

Xhenaro Gatuzo i ka dhënë ekipit dy ditë pushim, me lojtarët që do të nisi përgatitjen për ndeshjen e parë në kampionat ndaj Xhenoas, vetëm ditën e nesërme. Trajneri kuqezi, ndërkohë, ka folur për spanjollët e “As”, duke analizuar ndeshjet e fundit me Realin, por edhe aspekte të realitetit kuqezi.

gatuzo

Për rreth një orë, ndaj Realit u pa një Milan i kënaqshëm apo jo?

Ishte një provë e mirë. Disa futbollistë i janë bashkuar grupit në ditët e fundit, por në ndeshje si ajo kundër Realit, të rinjve mund edhe t’u dridhen gjunjët. Në kompleks ishte një përvojë e mirë për të gjithë.

Mendoni se Higuain, me një gol, u kandidua për rolin e liderit?

Paraqitja e tij ishte shumë e mirë nëse konsiderojmë kohën që ka në ekip. Nuk shpërdoroi asnjë top dhe në çdo moment ishte i gatshëm për të ndihmuar shokët. Është kjo sjellja që pres nga të gjithë kur zbresin në fushë.

Ishte testi i fundit miqësor, ndeshja e radhës vlen tri pikë. Si u duk skuadra?

Në kompleks jemi mirë. Djemtë janë gati, por forma nuk është ende maksimale. Po punojmë shumë në aspektin e shpejtësisë dhe vertikalizimit, duke u përpjekur të nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Në skuadër shoh entuziazëm dhe dëshirë për punë, ndaj ndihem optimist për sezonin e ri.

A po studioni të tjera variante taktike apo do i përmbaheni 4-3-3?

Jo, jo, nuk është e thënë. Për shembull me 4-2-3-1 kemi dhënë prova që dimë ta përballim më mirë presionin. Kam të njëjtin ekip me sezonin e kaluar në masën 70- 80 për qind, ndaj idetë taktike kanë ndryshuar pak, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi alternativa.

Në çfarë pike është aktualisht projekti juaj?

Në ekip janë afruar lojtarë me peshë që e kanë bërë skuadrën edhe më solide, por projekti nuk ka ndryshuar. Jemi në rrugën e duhur, pasi kemi shumë djem të rinj, por që kanë talent dhe përvojë për të rritur nivelin e skuadrës.

Fituat me Barcelonën dhe u mundët nga Reali. Cila është më e fortë?

Barça në ndeshjen ndaj nesh ishte një ekip me shumë të rinj të talentuar, por që gjithsesi na dhanë leksione gjatë gjithë takimit, pasi e tillë është edhe filozofia e tyre edhe në nivel ekipesh zinxhir. Reali vertikalizon shumë, është i fortë dhe luan si ekip italian në metrat e fundit.

Nëse qëndron edhe Baka, a do të mjaftojë ai edhe Higuain për t’i bërë ballë Juventusit në kampionat?

Problemi me Juven është se nuk kanë vetëm Ronaldon, pasi bëhet fjalë për një kolektiv që prej shtatë vitesh dominon pa shumë vështirësi. Nuk duhet të mendojmë për ta, por thjesht të përmirësojnë renditjen tonë në krahasim me kampionatin e kaluar. Për një skuadër të re si e jona, krahasimet me Juventusin janë të tepërta.

Si ju duket Paolo Maldini në rolin e drejtuesit?

Për mua është një figurë shumë e rëndësishme që të mahnit sa herë flet. Nuk flet shumë në fakt, por ka karizëm dhe djemtë e dëgjojnë me shumë vëmendje. Prania e tij do të jetë një ndihmë e madhe, sepse vëzhgon, analizon, është një njeri i sportit dhe duke qenë një kampion i madh, mund të rezultojë vlerë e shtuar për ekipin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"