Gafa në të gjitha ndeshjet, arbitrat protagonistë për keq (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2017 | 22:07

Gafa në të gjitha ndeshjet, arbitrat protagonistë për keq (VIDEO)

Java e 26-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar polemika të shumta sa u takon gjykimeve, pasi arbitrat kanë gabuar pothuajse në të pesta ndeshjet e Superiores.

Alla-Koreshi-Malaj

Në supersfidën mes Skënderbeut dhe Kukësit, e mbyllur në barazim 1-1, edhe pse sekretoi i gjykimit kishte vendosur edhe arbitra prapa porte, sërish kanë qenë vendësit ata që janë penalizuar, pasi u është mohuar një 11-metërsh i rregullt. Në minutën e 62-të, Latifi arrin të futet bukur në zonën kundërshtare dhe Alla e shkel duke i ndërprerë aksionin dhe rrëzuar në zonë. Në këtë moment, kryesori Kridens Meta nuk është sinjalizuar nga ndihmësi i tij mbrapa porte dhe ka lejuar vazhdimin e lojës, duke u mohuar një penallti korçarëve, e cila mund të mbyllte edhe takimin, pasi Skënderbeu kryesonte 1-0.

Flamurtari ka qenë po ashtu skuadra e penalizuar, pasi në minutën e 52-të të takimit ndaj Laçit, Bushiç është rrëzuar në zonën kundërshtare pas një dueli me Gjonin dhe arbitri kryesor u ka mohuar penalltinë vlonjatëve.

Ekipi tjetër i penalizuar ka qenë Partizani, që gjithsesi arriti të fitonte ndaj Korabit. Në dy raste, gjyqtari Laver Alla nuk ka akorduar 11-metërsh për të kuqtë, edhe pse ndërhyrjet ndaj Filit dhe Fejzullahut kanë qenë të gabuara.

TË TJERAT

Gjyqtari Juxhin Xhaja është bërë protagonist në sfidën mes Luftëtarit dhe Tiranës jo për 11-metërsh të padhënë, por për një karton të verdhë të akorduar në dëm të lojtarit Dejvi Bregu. Ndëshkimi i ka hequr të drejtën këtij të fundit që të luajë në sfidën e radhës ndaj Kukësit në transfertë dhe vendimi i arbitrit kryesor është cilësuar si tendencioz. Bregu shënoi në pozicion jashtë loje, pasi gjyqtari kishte vërshëllyer për ndërprerjen e lojës. Moviola ka vërtetuar se vendimi i kryesorit për të nxjerrë kartonin e verdhë për futbollistin e bluzinjve ka qenë tërësisht i gabuar.

Xhaja-Qirici-Myftari

Moviola e javës së 26-të

SKËNDERBEU – KUKËSI 1-1
Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, N.Bregasi (pas portave: B.Ziri, E.Hamiti)
Momenti i parë i takon minutës së 8-të, kur Salihi në zonën e Skënderbeut rrëzohet pas një dueli me Allën, por me të drejtë kryesori Meta vazhdon lojën, duke mos akorduar 11-metërsh për Skënderbeun.

Ndërsa momenti i dytë ishte ai i shënimit të golit të avantazhit për korçarët. Mici merr një top shumë pranë vijës anësore në të majtë të sulmit të Skënderbeut, por kuksianët pretendojnë se sfera ka dalë jashtë. Gjithsesi nga moviola duket se topi nuk ka dalë i gjithi jashtë vijës dhe gjyqtari anësor ka vepruar drejt që ka lejuar vazhdimin e takimit.

Rasti më flagrant i këtij takimi ishte ai i minutës së 62-të, kur Latifi fiton një duel me Allën në zonë dhe ky i fundit e shkel duke e rrëzuar. Këtu kryesori ka gabuar, pasi duhej të akordonte 11-metërsh për Skënderbeun.

Kridens Meta Skenderbeu - Kukesi

LUFTËTARI – TIRANA 2-1
Gjyqtarë: J.Xhaja, G.Qirici, D.Myftari
Momenti i parë i diskutueshëm është një ndërhyrje e Akua ndaj Lamçes dhe vendësit kërkojnë 11-metërsh, por kryesori i takimit, Xhaja, ka vepruar drejt, pasi ndërhyrja e lojtarit kryeqytetas ka qenë e saktë.

Rasti i dytë i diskutueshëm është një pozicion jashtë loje i akorduar për Dejvi Bregun. Anësori akordon me të drejtë pozicion jashtë loje, pasi futbollisti i bluzinjve duket qartë më i avancuar se mbrojtësi kundërshtar. Por, ndëshkimi i Bregut me karton të verdhë, pasi ka gjuajtur topin në drejtim të portës kundërshtare, është i tepërt dhe, në këtë moment, kryesori ka gabuar.

Rasti tjetër i diskutueshëm ishte rrëzimi i Rexhinaldos pas një ndërhyrjeje të Teqjes, ku vendasit kërkojnë 11-metërsh. Por, gjyqtari ka vazhduar lojën me të drejtë, pasi ndërhyrja ka qenë jashtë zone. Arbitri po ashtu ka vepruar drejt në ndëshkimin me karton të kuq të Zguros.

Luftetari - Tirana gjyqtaret

VLLAZNIA – TEUTA 0-0
Gjyqtarë: O.Sokoli, R.Avdo, D.Agaraj
Minuta e pestë e takimit sjell rastin e parë të diskutueshëm, ku Ribaj prek me dorë një top të krosuar në zonën durrsake dhe me të drejtë kryesori Olsi Sokoli akordon 11-metërsh për Vllazninë.

Momenti i dytë është gjuajtja e Bakajt nga pika e bardhë. Topi përplaset në shtyllë, duke iu rikthyer sërish lojtarit të Vllaznisë. Në këtë moment, loja duhet të ndalej për të akorduar një goditje indirekte për Teutën, sepse Bakaj do të hynte në lojë vetëm në momentin kur topin do ta prekte edhe dikush tjetër. Nëse topi preket nga i njëjti lojtar që godet penalltinë, pa u prekur nga askush tjetër, ky i fundit nuk ka të drejtë të marrë pjesë në aksion. Pra, vendimi i kryesorit Sokoli edhe në këtë rast është i drejtë.

Vendim i drejtë nga Sokoli edhe për të larguar me karton të kuq mesfushorin e Teutës, Progni, i cili simulon në zonë dhe, në atë çast, merr kartonin e dytë të verdhë.

Momenti i fundit është ai i minutës së 81-të, kur Sokoli mori vendimin në bashkëpunim me asistentin e tij për të anuluar golin e Hebajt, pasi më parë topi ishte prekur me dorë nga Hajdari. Edhe në këtë rast “xhaketat” e zeza veprojnë drejt për të anuluar golin e shkodranëve.

PARTIZANI – KORABI 0-2
Gjyqtarë: L.Alla, D.Koreshi, R.Malaj
Në ndeshjen e drejtuar nga kryesori Laver Alla, ku të kuqtë kanë fituar, ka pasur dy raste të diskutueshme. I pari ka qenë një ndërhyrje e Kajës ndaj Filit në zonën dibrane, ku ky i fundit ka marrë një goditje me bërryl dhe e ka braktisur aksionin. Në këtë moment kryesori duhej të jepte 11-metërsh për Partizanin, por ka lejuar vazhdimin e lojës.

Ndërsa rasti i dytë është gjithashtu një 11-metërsh i mohuar për të kuqtë, pas rrëzimit të Fejzullahut në zonën e Korabit. Edhe në këtë rast, Alla nuk ka vërshëllyer për 11-metërsh.

Jorgji Laci - Flamurtari

LAÇI – FLAMURTARI 1-0
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Ganxhi, A.Mahmuti
Të dyja skuadrat kanë pretenduar për nga një 11-metërsh, por kryesori nuk ka dhënë asnjë. Në fundin e pjesës së parë, Zhunior mundohet të driblojë Veliun, që prek topin me dorë, por kryesori vazhdon lojën, edhe pse duhet të kishte akorduar goditje dënimi për Laçin. Ndërsa në minutën e 52-të, Bushiç rrëzohet në zonën kurbinase pas një dueli me Gjonin dhe duhej akorduar penallti për Flamurtarin, por kryesori gabon duke vazhduar takimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"