Futbolli? Punë qejfi i shkreti!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 21:28

Futbolli? Punë qejfi i shkreti!

YLLI AGA

Pamjet e dhunës ndaj gjyqtarit në ndeshjen Përmeti-Këlcyra rrëmbyen si me magji të gjithë skenën e opinionit tonë sportiv. Në mënyrë të përligjur edhe sipas parimit “lajmi i mirë, nuk është lajm” gjithçka tjetër sa i takon fundjavës sportive kaloi në plan të dytë dhe gjithkush u mor me këtë ngjarje të rëndë, duke u bërë një shërbim të madh rregullave dhe frymës së këtij sporti, komisioneve të FSHF dhe, mbi të gjitha, duke sensibilizuar ylli-agaedhe organet ligjzbatuese për të ndërmarrë veprimet e duhura ndaj protagonistëve të dhunës.

 

Goditja ndaj gjyqtarit të një ndeshjeje futbolli nuk ishte një risi në futbollin tonë. Madje, nuk është e tillë edhe në vendet më të zhvilluara të kontinentit. Pamje të skenave të dhunës ndaj gjyqtarëve mund të gjenden lehtësisht në internet.

Dhe për emocionet që përmban ky sport ngjarja e Përmetit me siguri nuk do të jetë e fundit. Vite më parë, një emër i madh si Xhanluka Vialli, kur pyetej për ndryshimet mes futbollit në Angli dhe atij në Itali përgjigjej: “Futbolli në Angli është thjesht një sport, që luhet sipas disa rregullave, ndërsa në Itali konsiderohet si lojë, tek e cila nënkuptojmë edhe shumë gjëra të tjera”.

alvi paco

Nëse vijojmë me të njëjtën logjikë, futbolli thjesht sport që luhet sipas disa rregullave, nuk ka vend në Shqipëri. Kjo pasi një pjesë e drejtuesve të klubeve tona sillen si bajraktarë që kërkojnë të imponojnë rregullat dhe ligjet e habitatit të tyre. Janë ata që duan të vendosin nëse gjyqtari ka arbitruar mirë apo jo, janë ata që akuzojnë se gjyqtarët janë të korruptuar dhe janë ata që trillojnë çdo skenar paranojak për të justifikuar veprimet e tyre të dënueshme. Në këtë pikë, opinioni publik meriton nga organet ligjzbatuese një qëndrim të prerë, ndaj cilitdo që shkel rregullat e këtij sporti dhe frymën “fair play” të tij.

Akuzuesve të radhës t’ua bëj të qartë se jetojmë në një kohë dhe në një sistem ku akuzuesit duhet të vërtetojnë akuzat e tyre (marrje parash nga ana e gjyqtarit në rastin konkret) dhe jo i akuzuari duhet të vërtetojë pafajësinë e tij. Dhe, deri në atë moment, autorët e dhunës duhet të përgjigjen penalisht për veprimet e tyre, duke i kaluar në plan të dytë ndëshkimet e komisioneve të drejtë- sisë sportive. Dhuna si fenomen nuk është zgjidhur në asnjë vend me leksione për edukatë qytetare, por në çdo rast vetëm me forcën e ligjit.

Dhuna

Nëse dikush e ka harruar, huliganizmi nuk është më një problem në Angli, pasi më shumë se 6000 persona u skeduan si të dhunshëm, iu ndalua hyrja në stadiume, u ndëshkuan me gjoba të rënda financiare, madje përfunduan edhe në qelitë e burgjeve. Si rrjedhojë e këtij aksioni, stadiumet në ishull i ngjajnë me teatrot, ku nuk ekzistojnë rrethimet me hekura dhe ku gjithkush është i lirë të bëjë ç’të dojë, por duke i qenë i paralajmëruar për masat që e presin për çdo gjë që bën.

Nisur edhe nga incidentet e krijuara edhe në stadiume të tjera dhe në sinkron me veprimet e forcave të rendit për t’i dhënë fund kësaj panorame në stadiumet tona është domosdoshmëri që gjithkush të marrë mesazhin se futbolli nuk mund të jetë mburojë për asnjë nga aktet e dhunës.

Ndëshkimet individuale për gjithsecilin që ka guximin të shkelë mbi rregullat e lojës dhe ligjet e shtetit mbeten zgjidhja e vetme e kësaj problematike. Nëse ndonjë klub nuk pajtohet me këtë standard, e sigurt që futbolli do të vijojë të luhet edhe pa të. Sepse, në fund të fundit, ky profesion është punë qejfi i shkreti!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"