“Futbolli për Kombin”, ishte qëllim i FSHF-së brenda këtij viti/ Kupa “Nënë Tereza”, nuk bëhet as për… 2022-shin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 11:12

“Futbolli për Kombin”, ishte qëllim i FSHF-së brenda këtij viti/ Kupa “Nënë Tereza”, nuk bëhet as për… 2022-shin

Pushim që prej datës 14 nëntor. Kategoria Superiore në Shqipëri u ndal për pasojë të kampionatit botëror që po luhet në Katar.

duka_strategjia_futbolli_per_kombin_1-1024x699

Një ndalesë ndoshta e panevojshme, duke qenë se ndërprerje do të ketë sërish në muajin janar, atëherë kur ekipet do të zhvillojnë edhe fazën përgatitore të dimrit, për t’u “karikuar” dhe për të përballuar ndeshjet e kampionatit që do të përfundojnë në maj.

Gjatë kësaj kohe janë luajtur disa takime miqësore, kur ekipet kanë rënë dakord, apo një tjetër që ka vuajtur për të gjetur një ekip niveli për të provuar skuadrën në një përballje.

Ndoshta kjo periudhë e përcaktuar pushim, mund të ishte menaxhuar më mirë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi një alternativë do të ishte për të organizuar Kupën “Nënë Tereza”, një turne, i cili është menduar me kohë.

OBJEKTIVAT

Në programin e lançuar në maj të këtij viti, “Futbolli për Kombin 2022-2025”, i prezantuar nga kreu i FSHFsë, Armand Duka, gjatë periudhës së zgjedhjeve për presidentin, një prej qëllimeve strategjike të federatës së futbollit ishte edhe organizimi i këtij turneu.

Ashtu siç është shkruar në këtë program, një prej qëllimeve është edhe nisja dhe bashkëpunimi me federatën e Kosovës”.

Nisja e Kupës “Nënë Tereza 2022” me 100 ekipe në Shqipëri dhe Kosovë”, është një prej qëllimeve.

Deri tani, kur jemi një muaj nga mbyllja e vitit 2022, nuk kemi konkretisht asgjë të organizuar, edhe pse kushtet ishin duke qenë se kampionati u ndërpre për shkak të Botërorit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

KUPA “NËNË TEREZA”

Ky turne është iniciuar nga kreu i FSHF-së që përpara dy vitesh, por pandemia bëri që koha e nisjes të shtyhej.

Por si qëllim ky turne është vendosur edhe në programin e këtij viti. Kupa “Nënë Tereza” mendohej një miksim me Kosovën, ku do të garonin 100 ekipe gjithsej. Kategoria Superiore e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, që janë me nga 10 ekipe.

Kategoria e Parë e Shqipërisë që ka 14 skuadra, Kategoria e Dytë me 23 skuadra që janë aktualisht dhe Kategoria e Parë dhe e Dytë e Kosovës, në një bashkim, i cili do të sillnin një turne me eliminim direkt.

Ekipet e elitës do të shkonin direkt në fazën e 1/ 32-ave, ndërsa pjesa tjetër do të luanin me njëri-tjetrin në sistemin vajtje-ardhje në stadiumet e tyre.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"