“Fusha e Pezës na sjell fat, mundëm 2-6 Partizanin B”, trajneri i Besëlidhjes: E kalojmë Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2020 | 10:44

“Fusha e Pezës na sjell fat, mundëm 2-6 Partizanin B”, trajneri i Besëlidhjes: E kalojmë Dinamon

Besëlidhja udhëton sot në kryeqytet për të matur forcat me Dinamon. Lezhjanët duan vazhdimësi dhe rrjedhimisht kreun, ndaj do të zbresin sot në fushë vetëm për të likuiduar një kundërshtar direkt. Sinan Bardhi është i kënaqur me formën e skuadrës së tij dhe beson te pikët. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” trajneri vlerëson dinamovitët, por e quan të kalueshme këtë javë. Ai mendon se edhe fusha do t’i sjellë fat, ndërsa kujton fitoren 2-6 kundër Partizanit B në Pezë-Helmës.
Sinan Bardhi

“Luajmë një përballje direkte nesër (sot). E kemi vlerësuar maksimalisht Dinamon, pasi është një skuadër e kompletuar nga të gjitha drejtimet. Ka historinë dhe rezultate. Ashtu si edhe ne, Dinamo ka objektiva madhorë, ndaj për të treguar forcën tonë, mirë do të ishte që ta kalojmë me sukses këtë 90- minutësh. Shkojmë në Tiranë me ide të qarta, do të bëjmë çmos që të marrim një rezultat pozitiv dhe kam shumë shpresë se do t’ia dalim. Gjendja në ekip është ndër më të mirat. Kemi energji pozitive me bollëk dhe psikologjinë e duhur, pas kthesës që bëmë me Erzenin. I kemi hedhur pas krahëve gabimet që na shoqëruan në dy ndeshje radhazi. Tashmë po shikojmë të ardhmen. Një armë tjetër e fuqishme në duart tona është edhe terreni, i cili na favorizon për ta shtruar lojën për të dalë në stilin tonë. Ajo fushë për Besëlidhjen është edhe fatsjellëse, pasi aty kemi fituar me rezultat të thellë 2-6 ndaj një skuadre të fortë siç është Partizani B. Shpresoj se atë formë që ka shpalosur skuadra gjatë seancave stërvitore do ta zbatojë edhe ndaj dinamovitëve”, përfundoi numri një i pankinës së Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"