Ftesa te Shpresat, Rashica mirënjohës: Sezon pozitiv, Skënderbeu ma dha fanellën kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 18:44

Ftesa te Shpresat, Rashica mirënjohës: Sezon pozitiv, Skënderbeu ma dha fanellën kuqezi

Skënderbeu po kalon një moment të mirë në kampionat, falë formës së mirë që gëzojnë disa prej lojtarëve kyç të formacionit të tij. Këtë e dëshmon më së miri fakti që 3 lojtarë të këtij ekipi janë grumbulluar tashmë nga Kombëtarja U-21.

Rashica

 

Ermir Rashica është njëri prej tyre, për të cilin është grumbullimi i katërt radhazi me Shpresat e trajnerit Alban Bushi. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi 19-vjeçar i Skënderbeut tregon ecurinë pozitive të këtij sezoni dhe ambiciet personale në lidhje me të ardhmen. Për Rashicën, Skënderbeu po bën një kampionat të mirë përderisa është pjesë e 4-shes së parë, përveç disa luhatjeve në momente të caktuara.

“Vijmë pas një fitoreje të rëndësishme në kampionat dhe mbi të gjitha pas disa ndeshjeve që kemi treguar lojë të mirë dhe kemi dominuar mbi kundërshtarët. Kjo është ajo që na bën të jemi më të kënaqur për sa u përket rezultateve të marra deri tani. Është një grup i mirë, që funksionon si një familje e bashkuar. Me këtë atmosferë japim gjithnjë maksimumin. Fitorja kundër Egnatias dëshmoi qartë se diçka e tillë është e vërtetë.

Tani duhet të vijojmë me këtë ritëm dhe të bëjmë gjithçka për rezultate pozitive deri në fund te sezonit. Mbeten edhe tetë ndeshje dhe duhet ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. Secila ka rëndësinë e vet dhe duhet t’i marrim me radhë. Deri tani sezoni ynë është pozitiv, por fundi ka më shumë rendësi, sepse aty vendoset gjithçka. Këtë e dimë të gjithë, ndaj dhe jemi shumë të përqendruar”, tha fillimisht sulmuesi kosovar i Skënderbeut, një nga titullarët e rëndësishëm të trajnerit Gvozdenoviç.

KOMBËTARJA – Sa herë bëhet fjalë për ekipin kombëtar dhe fanellën kuqezi, emocionet për Ermir Rashicën janë shumë të mëdha. Për të grumbullimi me Shqipërinë U-21 ka shumë vlerë dhe është rezultat i kontributit gjatë këtij sezoni.

“Të veshësh ngjyrat e flamurit është emocion i madh dhe mbi të gjitha një përgjegjësi morale dhe emocionale. Jam i vetëdijshëm që kam fat që mbaj këtë fanellë të veshur, është hera e katërt radhazi që më vjen një ftesë. Dua të bëj më të mirën për këtë flamur, është përgjegjësi kombëtare. Por një meritë e veçantë i takon gjithë ekipit, pasi Skënderbeu më bëri të bija në sy të një përzgjedhjeje më të gjerë. Këtë e kam thënë që në fillim dhe vijoj ta mendoj po njësoj. Është një eksperiencë që të ndihmon të rritesh dhe të tentosh gjithmonë e më shumë për lart”, përfundon Rashica.

LLAZI SARO

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"