FOTO/ Nuk u federua dot, ish-mesfushori i Luftëtarit i futet ushtrisë në Greqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2020 | 0:08

FOTO/ Nuk u federua dot, ish-mesfushori i Luftëtarit i futet ushtrisë në Greqi

Maldin Ymeraj ishte deri gjashtë vite më parë një prej lojtarëve më premtues të Kombëtareve të moshave të Shqipërisë, duke qenë një i grumbulluar fiks me U-17, U-19 dhe U-21. Mirëpo, karriera e deritanishme e mesfushorit të dalë nga akademia e Panathinaikosit nuk ka qenë në nivelin e pritshëm.

YMERAJ USHTAR

Pas aktivizimit në Ligën e Dytë greke me Fostiras në sezonin 2014-2015, më pas lojtari me origjinë nga Mallakastra dhe i lindur në Gjirokastër, luajti për tre vite me klubin e Akropolis në Suedi. Në pjesën e dytë të sezonit 2017-2018 ai u pikas nga Kukësi, ku u aktivizua vetëm gjashtë ndeshje në atë kampionat. Kulmi i tij ka qenë në sezonin 2018-2019, kur dhe luajti 27 ndeshje në Kategorinë Superiore si pjesë e Luftëtarit, ndërsa arriti të shënonte edhe një supergol në barazimin 1-1 në Gjirokastër ndaj Partizanit.

Në verën e vitit 2019 ai nisi stërvitjen me bluzinjtë, por u largua më pas për shkak të polemikave me drejtuesit e Luftëtarit. Ymeraj firmosi me Panahaiqi të Patrës në Ligën e Dytë greke, por edhe gjërat aty nuk shkuan si duhet. Për shkak të mos zgjidhjes në kohë të kontratës me Luftëtarin, Ymeraj dhe ish-mbrojtësi grek i bluzinjve, Dimtris Koconis, nuk arritën të federoheshin te Panahaiqi.

YMERJ999

Në këto kushte, Ymeraj rezulton të mos luajë një ndeshje zyrtare që prej majit të vitit 2019, kur për herë të fundit ishte në fushë në ndeshjen Teuta-Luftëtari 0-0, ku dhe u dëmtua. Por çfarë ka bërë në këtë periudhë Ymeraj? Në pamundësi për të luajtur me Panahaiqi, mesfushori 25-vjeçar ka nisur ushtrinë në Greqi. Prej pak muajsh ai po kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak për faktin se kërkon të pajiset me pasaportë greke.

Ymeraj Luftetari

Marrja e nënshtetësisë greke ia shton mundësitë lojtarit për t’u aktivizuar në kampionate ku vendi për ekstrakomunitarët është i limituar. Duke qenë se Greqia është pjesë e BE-së, çdo futbollist ka të drejtë të luajë si komunitar në shtetet e tjera evropiane. Rrugën e Ymerajt e kanë ndjekur edhe lojtarë të tjerë shqiptarë që janë rritur në Greqi. Mes tyre ka qenë edhe sulmuesi Fiorin Durmishaj, i cili zgjodhi të luante për Kombëtaren greke dhe jo atë shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"