FOTO / Ekipi kombëtar torturohet në Stamboll, 11 orë pritje në aeroport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2017 | 12:22

FOTO / Ekipi kombëtar torturohet në Stamboll, 11 orë pritje në aeroport

Nuk kanë fund telashet për Kombëtaren shqiptare në basketboll për meshkuj, në prag të sfidave eliminatore për Kupën e Botës 2019, që do të startojnë më 2 gusht ndaj Austrisë.

kombetarja basketboll

Si të mos mjaftonin problemet me refuzimin e përkohshëm që iu bë për t’u stërvitur në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova”, përplasjet mes trajnerit Antonis Konstantinides e lojtarit Franko Bushati dhe së fundmi me sherrin në miqësoren Shqipëri-Kosovë, edhe udhëtimi për në Armeni për turneun miqësor ka rezultuar rraskapitës për kuqezinjtë.

Pas nisjes nga “Nënë Tereza”, ndalesa e parë e përfaqësueses ka qenë Stambolli në orën 12:00. Por, për t’u nisur për në transfertën armene, shqiptarëve të koshit u është dashur të presin plot 11 orë (nisja bëhej në orën 23:00) dhe mëngjesin e sotëm 02:00 është parashikuar që të jenë në destinacion. Edhe vetë kapiteni Gerti Shima ka ironizuar me një foto të hedhur në rrjetin social “Facebook” në pritje për në Armeni.

“Duke vrarë 10-orëshin, part2 2017- ta”, shkruante Shima. Shqipëria do të luajë nesër miqësoren e parë në Armeni nga tre të programuara. Ndërkohë shtatlarti Shima, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehu vlerësimet për dy miqësoret e zhvilluara në kryeqytet me Kosovën, ndonëse të dyja u mbyllën me fitoren e kundërshtarëve.

“Ishin ndeshje me shumë vlera për ne. Kishim përpara një ekip mjaft të fortë dhe me shumë talente. Për ne ishin ndeshjet e para edhe normalisht nuk dolëm në lojën tonë, por që pamë se ku i kishim gabimet dhe do të mundohemi që të rregullojmë në ndeshjet e radhës miqësore që do t’i luajmë në Armeni dhe të jemi të gatshëm për takimin e parë zyrtar dhe objektivin tonë me Austrinë”, tha Shima.

Në eliminatoret e Kupës së Botës, Shqipëria ndodhet në grupin B bashkë me Holandën e Austrinë. Në daljen e fundit për mediat, trajneri qipriot nuk e përjashtoi mundësinë e klasifikimit në dy vendet e para në fund të kësaj faze, çka do t’i çonte në kualifikueset e muajit nëntor.

“Për ndeshjet që do të luajmë këtu në Tiranë, ne nuk mund të lejojmë as Holandën, as Austrinë që të na mundë. Duhet ta krijojmë këtë traditë për ndeshjet tona në shtëpi, në këtë formë gjithashtu mund të arrijmë edhe objektivin”, pat thënë mes entuziazmit tekniku Konstantinides, në edicionin e tij të dytë në krye të pankinës kuqezi pas eliminatoreve të kaluara të Europianit.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"