FOTO/ Çiljeta çift me Alban Hoxhën, shfaqen të dy bashkë në koncertin e këngëtarit grek

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2018 | 23:51

FOTO/ Çiljeta çift me Alban Hoxhën, shfaqen të dy bashkë në koncertin e këngëtarit grek

Dy ditë më parë, në Pallatin e Kongreseve dha një koncert madhështor këngëtari grek Notis Sfakianakis. Koncerti ishte organizuar nga Top Channel, ndërkohë që në ditët në vijim do të jepet në këtë ekran, për të gjithë ata që nuk patën mundësi që ta shohin koncertin në sallë.

Sfakianakis është një artist shumë i njohur për shqiptarët, edhe pse ai vjen për herë të parë në Shqipëri. Ata që e kanë pëlqyer dhe kanë patur mundësi financiare, e kanë ndjekur deri në Athinë e Selanik, në buzuqet ku ai ka bërë koncertet e tij.

Edhe vetë Notis ka takuar shumë syresh, prandaj e dinte paraprakisht sa i njohur dhe i pëlqyer ishte në vendin fqinj. Pavarësisht debateve që u hapën mbi faktin se Notis është shprehur hapur pro partisë Agimi i Artë dhe kundër faktit që në Greqi pranoheshin aq shumë refugjatë, vetë Notis u shpreh se nuk ka folur asnjëherë keq për shqiptarët në veçanti. Megjithatë, mbase edhe ky debat, ka qenë një promo më vete për këngëtarin, pasi ka tërhequr vemendjen dhe ka zgjuar kuriozitetin, edhe të atyre që nuk e njihnin si këngëtar.

Notis dha koncertin siç ishte parashikuar, në një atmosferë ku spektatorët njihnin dhe këndonin këngët e tij dhe, mesa duket, këngëtari ka ngelur shumë i kënaqur nga kjo eksperiencë e parë në Tiranë. Dje, në një status në “Facebook” ai ka falënderuar shqiptarët për pritjen e ngrohtë, por nuk la pa theksuar faktin se ishte prekur nga ata që e kishin akuzuar. Gjithashtu, ai premtoi se do të vinte përsëri në Shqipëri, në një koncert akoma më të madh.

Ne u bëmë kuriozë, për të mësuar se cilët ishin perosnazhet VIP, që ishin në sallë për të parë koncertin. Siç dihet, çmimet e biletave kanë qenë të kripura, kështu që për ta parë atë koncert nuk mjaftonte ta pëlqeje Notisin, por duhej të kishe edhe para për ta ndjekur nga aq afër. Paparazzi ynë arriti të fiksojë disa nga spektatorët VIP.

Në koncert ishte Çiljeta bashkë me të dashurin e saj, futbollistin Alban Hoxha. Kjo është një nga daljet e rralla të Çiljetës me djalin, me të cilin bashkëjeton, pasi në përgjithësi është mjaft diskrete, por, mesa duket, kësaj here as njëri, as tjetri nuk i kanë rezistuar tundimit për të parë koncertin e Notis.

Tjetër figurë e njohur ishte Arjan Curi, analist dhe padogog në UET. Ai ka studiuar në Greqi, kështu që mund ta ketë shumë familjare muzikën greke.

Ranë në sy gjithashtu biznesmenët me origjinë nga veriu, Nikolin Jaka dhe Jak Ndokaj, të cilët, mesa duket, pëlqejnë muzikën greke dhe Notisin në veçanti.

Prezenca e Leonard Solis, ish-ministër i Shëndetësisë, nuk mund të na çudiste, pasi ai është minoritar dhe ka afrimitet me muzikën greke.

Nuk kanë munguar figura të njohura që punojnë në Top Channel dhe Top Albania Radio. Ishte Ornela Nebiaj dhe Xhemi Shehu. Madje, Xhemi, nuk e dimë për çfarë arsye, i fshihej aparatit të paparazzit tonë. Gjithsesi, koncerti shkoi ashtu siç duhej.

Spektatorët realizuan ëndrrën e tyre për të parë në Tiranë Notisin dhe Notis realizoi ëndrrën e tij për të parë një sallë të mbushur plot dhe që të gjithë këndonin këngët e tij në Tiranë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"