Formacioni më i shtrenjtë i Bundesligës, komandon Bajerni/ Ja vlerat sipas “Transfermarkt”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2022 | 20:22

Formacioni më i shtrenjtë i Bundesligës, komandon Bajerni/ Ja vlerat sipas “Transfermarkt”

Portali “transfermarket.de” ka përditësuar së fundmi vlerat e lojtarëve në Bundesligë, aty ku surprizat nuk kanë të ndalur, ashtu si edhe renditja në tabelën e kampionatit vendës. Portali në fjalë ka shfrytëzuar pushimin e ekipeve për të kryer një kalkulim më koherent në varësi të gjendjes dhe formës së shfaqur nga yjet e kampionatit në fjalë.

Bundesliga

Në 11-shen e publikuar nuk ka vend për dyshime mbi numrin më të lartë të lojtarëve të përfshirë në të, ku Bajerni dikton bindshëm me plot 7 lojtarë, por ajo që bie në sy është se vlera më e lartë i përket përfaqësuesit nga Dortmundi. Fjala është për Xhude Bellingam.

19-vjeçari anglez ka pësuar një rritje me 10 milionë euro dhe tashmë vlerësohet në tregun e portalit me 90 milionë euro, në këtë mënyrë duke zbehur disi vlerat e lojtarëve bravarezë. Formacioni është i ndërtuar me skemën 4-2-3-1, ku Bajerni përfaqësohet me 7 lojtarë, duke lënë shumë pas Lajpcigun dhe Dortmundin si të vetmet klube në këtë pozicionim me nga 2 lojtarë. Vlera e këtij formacioni shkon në 707 milionë euro. Të shikojmë se si pozicionohen në treg:

PORTA- Gregor Kobel vazhdon të ruajë pozitën e titullarit në vlerësimin e “Transfermarkt”. Gardiani zviceran, i cili mbron portën e Borusia Dortmundit, vazhdon të mbetet në kuotën e 22 milionë eurove, 7 më shumë se portieri i rekordmenëve gjermanë, Manuel Nojer.

MBROJTJA- Krahu i majtë i repartit difensiv nuk njeh ndryshim me të padiskutueshmin Alfonso Dejvis me 70 milionë euro. Qendra përbëhet nga dyshja De Ligt dhe Guardiola. Holandezi vazhdon të qëndrojë në kuotën e 70 milionë eurove, ndërsa kroati ka pësuar rritjen më të madhe në këtë formacion me 25 milionë euro dhe vlera totale e tij arrin në 60 milionë euro. Në krahun e djathtë Pavar mbetet stok në vlerën e 30 milionë eurove.

MESFUSHA- Reparti i mesfushës është ai, i cili përbën peshën më të rëndë financiare, krahasuar me repartet e tjera. Më i shtrenjti i të gjithë formacionit ka ardhur nga përditësimi i fundit dhe përkon me talentin e Dortmundit, Xhude Bellingam, me 90 milionë euro. Rritja e 19-vjeçarit ka qenë me 10 milionë euro, ndërsa dy kolegët e repartit, si Kimish dhe Kristofer Nkunku nuk kanë pësuar ndryshim nga shifra e 80 milionë eurove.

SULMI- Xhamal Musiala është shpërblyer pas fillimit të sezonit me nota pozitive dhe vlera e tij kap kuotën e 80 milionë eurove, e rritur me 15 milionë euro vetëm muajin e fundit.

BUNDELSLIGA

Nga krahu i djathtë Serxh Gnabri mbetet i njëjtë, me 65 milionë euro. E vetmja humbje nga shifra në këtë skemë të ndërtuar mbi bazë vlefshmërie është Sadio Mane. Duket se forma e dobët në ndeshjet e fundit ka ndikuar negativisht në treg për të dhe tashmë vlerësohet me 60 milionë, 10 milionë më pak se përpara transferimit në “Allianz Arena”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"