Dilema për formacionin, zbulohet plani i Egbosë kundër serbëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2020 | 18:08

Dilema për formacionin, zbulohet plani i Egbosë kundër serbëve

Tirana përballet me Crvena Zvezdën, ndërsa Emanuel Egbo është në dilemë nëse do të përdorë ekipin tip apo të ndryshojë diçka nga sfida me Tbilisin.
Egbo
Me planin e parë, trajneri i bardhebluve normalisht duhet të rreshtojë skuadrën tip, ku Lika nis titullar, ndërsa më pas janë Toshevski, Najdovski, Vangjeli, Hoxhallari ose Ismajlgeci në mbrojtje. Në mesfushë, Batha e Çelhaka, ndërsa para tyre treshja e huaj, Kobina, Kale e Torasa. Në sulm i vetëm Ernest Muçi. I vetmi dyshim në këtë mes është krahu i majtë, me Hoxhallarin apo Ismajlgecin si titullar. Gjithsesi, ky është plani “A”.

tiranan

Plani “B” – Emanuel Egbo ka edhe një plan “B”, ku Hoxhallari mund të luajë një rol të rëndësishëm. Nëse Egbo bindet, mund të ketë një dyshe qendre, Hoxhallari-Vangjeli, dhe Najdovski në mesfushë së bashku me Bathën. Mund të sakrifikohet Çelhaka, por ky është plani i dytë i Egbosë, që gjithsesi zor se ndryshon nga ajo që ka punuar gjatë javës. Të dyja planet janë efektive, ndërsa “A”-ja më i zbatueshmi, ndërsa “B”-ja mund të vihet në punë gjatë lojës. Në fakt, prej ditësh është punuar shumë për të pasur një ide të qartë të kundërshtarit. Skuadra dje punoi me dyer të mbyllura dhe me drita për të qenë e qetë para sfidës së sotme që luhet në orën 20:00 në “Air Albania”.

Mundja e Crvena Zvezdës është kthyer çështje kombëtare në Shqipëri. Stafi i Tiranës ka punuar ethshëm për të gjetur pikat e dobëta. Veç punës së stafit teknik të skuadrës dhe analizës së Egbosë, Xhafës, Janit e Osmanit, në lojë është futur edhe artileria e rëndë, duke e kthyer zbërthimin e lojës së Crvena Zvezdës në çështje kombëtare.

Në ndihmë Tiranës i ka ardhur Federata Shqiptare e Futbollit. Ka qenë posaçërisht Alariko Rosi, drejtori i statistikave dhe videoanalizës në FSHF dhe videoanalisti i Kombëtares, ai që po punon mbi takimet e Crvena Zvezdës në kampionat dhe Europë. Ky i fundit të gjitha të dhënat ia kalon stafit të Tiranës që më pas i analizon me lojtarët në detaj. Dy miq të Kosta Janit, trajnerit të përgatitjes fizike, kanë ndihmuar më parë Tiranën dhe me shumë mundësi do të vazhdojnë ta ndihmojnë skuadrën bardheblu, madje gjatë gjithë lojës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"