Flet qendërmbrojtësi i Egnatias: Sfidë personale, frymëzohem nga Serxho Ramos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 20:03

Flet qendërmbrojtësi i Egnatias: Sfidë personale, frymëzohem nga Serxho Ramos

Fitorja e siguruar me Laçin në transfertë tregoi edhe një herë se Egnatia nuk do të jetë kalimtare në elitë. Për “Panorama Sport”, në një intervistë, vetë Besart Krivanjeva është i kënaqur që skuadra fitoi sërish dhe thekson se deri tani ka dhënë më të mirën sa herë ka luajtur.

EGNATIA 1

“Zbritëm në fushë për të dhënë më të mirën me Laçin. Ne vinim ndaj tyre me mjaft pozitivitet, pasi pak ditë më parë ishim kualifikuar në Kupë. E menduam që ata do të bënin më të mirën ndaj nesh. Ishim përgatitur që të luanim sa më qetësisht minutë pas minute. Ia dolëm që të përshtateshim fillimisht me terrenin e fushës e të nisnim rastet e para në favorin tonë. Besimi se do të arrinim diçka ishte shumë i madh duke parë se po e bashkërendisnim lojën ashtu siç duhej.

Për mua ishte e veçantë se luajta si shkatërrues para mbrojtjes sonë. Gjatë javës trajneri më vuri si detyrë që të isha pikërisht unë si lojtari i parë që të paraprija aksionet e vendësve. Përpjekjet për të bërë më të mirën ishin të vazhdueshme. Në të tilla raste ndihesh i kënaqur që ta kryesh me dinjitet çdo rol që të ngarkohet. Duke qenë se e kam nisur karrierën po si pjesë e mbrojtjes, e kisha të lehtë ambientimin. Mirëpres çdo vendim që të luaj atje ku ka nevojë skuadra. Kam punuar shumë në stërvitje që të jem në formë sa më të mirë gjithmonë.

Goli i shënuar pak minuta nga fundi na dha shumë emocione. Ishte një fitore e rëndësishme e meritë kanë të gjithë. Nga sa më ishte bërë me dije, fusha e Laçit ka qenë shumë e vështirë për shumë sezone për çdo klub. Kishim dhe pak fat, pasi deri tani kemi qenë të vendosur për të shpërblyer çdo të mirë që kemi pasur dhe kemi nga klubi. Është një skuadër me kushte dhe e investuar. Gjatë merkatos së verës pranova ofertën e Egnatias dhe ka qenë zgjedhje e pagabueshme. Besoj se do t’ia dalim të kapim objektivat e klubit. Vetëm se çdo kundërshtar duhet të marrë respekt.

Periudha e deritanishme ka qenë shumë e mirë dhe do ta nderoj çdo herë fanellën e rrogozhinasve. Prej fillimjavës kemi nisur seancat antiTeuta që do ta luajmë në fushën tonë. Mbetet një mundësi e mirë për të mos gabuar dhe të sigurojmë te tjera pikë të plota. Kampionati është i gjatë e gabimet duhet t’i kemi të pakta. Është një sfidë personale për mua që po luaj në një kampionat tjetër ndryshe nga më parë. Më pëlqen Serxho Ramos si mbrojtës në tërësi e jam komod sa herë zbres të luaj në çdo kohë. Ai ka aftësitë e veta dhe unë të miat, por na bashkon shumë mbrojtja”, u shpreh Krivanjeva.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"