Luiza: Emocion i papërshkrueshëm, fitova mes vështirësive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 9:45

Luiza: Emocion i papërshkrueshëm, fitova mes vështirësive

Vrapoi për të ndjekur ëndrrën, kaloi çdo pengesë që i doli përpara dhe më në fund ia arriti. Luiza Gega çoi peshë krenarinë e një kombi të tërë, teksa ka shkruar në ditën e djeshme një nga faqet më të bukura të atletikës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

545931044

28-vjeçarja është kurorëzuar nënkampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, duke marrë medaljen e argjendit, në Europianin e atletikës që po zhvillohet në Amsterdam të Holandës. Mes shumë problemesh infrastrukturore dhe financiare, Shqipëria ka mundësinë të “fryjë gjoksin” përpara Europës, kjo falë talentit dhe vullnetit të atletes më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave dhe trajnerit të saj, Taulant Stermasi, të cilët më në fund ia dolën të sillnin një medalje.

l-albanaise-luiza-gega-mene-le-train-du-1-500-m-de-la-reunio_2743805

Një paraqitje e shkëlqyer e atletes, që rivalizoi deri në xhiron e fundit për të artën, të cilën e mori atletja gjermane Gesa Krause. Kjo është medalja e parë e atletikës shqiptare në një Europian. Përveç medaljes së argjendit, Gega vendosi edhe rekord të ri shqiptar në këtë disiplinë, 9’28?52, duke përmirësuar kohën që mbante vetë atletja kuqezi (9’32?58).

Paraqitja e saj ishte fantastike, duke qenë gjithnjë në krye, në një duel të fortë me gjermanen Krause, e cila u shkëput vetëm në 400 metrat e fundit dhe fiton me kohën 9’18″85. Në vendin e tretë u rendit turkja Ozlem Kaja, me 9’35″05.


Entuziazmi i kampiones

Duart në qiell, një ulërimë çlirimi dhe lot gëzimi për Gegën në përfundim të garës. Kampionia gjatë një interviste për “Panorama Sport” i ka rrëfyer emocionet e saj: “Përpara fillimit të aktivitetit renditesha e treta në top listën botërore pas gjermanes dhe finlandezes. Isha e përgatitur psikologjikisht për medalje, por gara rezervon gjithmonë të papritura”, tha ajo fillimisht.

478091564

Më tej u shpreh: “Mbas garës së parë ndieja lodhje te këmbët, sepse ajo kishte një dinamikë të shpejt dhe në Amsterdam bënte ftohtë. Trajneri bëri të pamundurën që të më qetësonte me akull që të isha në kushtet optimale në mungesë të mjekut. Pasi në çdo aktivitet nuk kemi mjek me vete”. Duke u kthyer sërish te gara, kampionia tha: “Kur kalova e dyta vijën e finishit përjetova një emocion të madh, pasi është medalja e parë që fitoj në karrierë në arenën ndërkombëtare. Qëndrova e përqendruar gjatë të gjithë garës, në xhiron e fundit po ndihej lodhja që ishte e madhe, por pashë që isha shkëputur nga vendi i tretë dhe dhashë maksimumin për të ruajtur pozicionin. Jam shumë e lumtur, pasi lodhja dhe sakrificat e mia e të trajnerit më në fund u shpërblyen me medalje, e cila është historike për vendin tonë”.

E pyetur për vështirësitë që has në përgatitjen dhe mungesën e vëmendjes nga ana e organeve kompetente, Gega tha: “Tani dua t’i gëzohem medaljes dhe s’dua të mendoj për vështirësitë që has gjithë vitin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"