Flamurtari synon afrimin e Cuculit, Duro: Lojtarët duhet t’i justifikojnë pagesat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2017 | 10:39

Flamurtari synon afrimin e Cuculit, Duro: Lojtarët duhet t’i justifikojnë pagesat

Flamurtari i sezonit të ri do të jetë i përmbajtur sa u përket shpenzimeve. Një gjë të tillë e ka bërë me dije trajneri Shpëtim Duro, i cili, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur:

“Lojtarët që vijnë me pagesa të mira duhet që ta justifikojnë pagesën e tyre. Unë nuk bëj aventura me lojtarët, të justifikojnë cilësinë dhe pagesat e tyre. Natyrisht që pagesat aty-aty do të jenë. Nëse arrijmë ndonjë goditje të madhe mund të sakrifikojmë. Duam lojtarë që të përshtaten me kampionatin shqiptar”, tha Duro.

Shpetim Duro

Ai deklaron se në këto momente është duke u kushtuar më shumë rëndësi lojtarëve që do të afrohen sesa largimeve. Duro u shpreh dje se futbollistët që do të largohen janë ata që u ka përfunduar kontrata.

“Lojtarët, të cilëve u kanë përfunduar kontratat, janë ata që nuk janë në planet e mia në përgjithësi. Por unë më shumë do të shikoj ardhjet sesa largimet. Do të shikojmë si do rrjedhin gjërat dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë. E rëndësishme është që ata që do të vijnë të jenë lojtarë që bëjnë punë. Më tepër sesa largimet, më interesojnë ardhjet dhe këtë e përsëris sërish”, u shpreh fillimisht Duro.

OBJEKTIVI

Trajneri Shpëtim Duro deklaron se qëndroi te Flamurtari pasi administratori Idrizi i premtoi një Flamurtar pretendent. Duro është i plotfuqishëm në merkato. Por, pavarësisht kësaj, trajneri tha se lojtarët që ai dëshiron të afrojë janë nën kontratë.

“Objektivin e parë unë e arrita. Flamurtari është në superligë dhe unë kam hequr një siklet të madh. Flamurtari çdo vit është bërë për pretendent. Pavarësisht kontratës që unë kam edhe për një vit me Flamurtarin, do të largohesha nëse nuk do të punonim për ndërtimin e një ekipi pretendent. Idrizi më ka mbështetur në këtë pikë dhe jam unë ai që po bëj kontaktet me lojtarët. Por dua të them se nuk është e lehtë, pasi lojtarët që unë dua janë në kontratë me klube të tjera”, përfundoi Duro.

MERKATO

cuculi

Numri një i stolit vlonjat kërkon dy lojtarë të Shkëndijës së Tetovës. Njëri është shqiptar i Maqedonisë dhe tjetri është maqedonas. “Panorama Sport” zbulon se trajneri Duro është i interesuar për mbrojtësin e majtë Ardian Cuculi, i cili e njeh mjaft mirë Superioren, pasi ka luajtur te skuadra e Partizanit dhe u afrua aty pikërisht nga trajneri kryeqytetas.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"