“Flamurtari për titull, por nuk kemi fushë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2012 | 13:50

“Flamurtari për titull, por nuk kemi fushë”

Flamurtari është pretendent për titullin kampion, por më parë duhet të arrijë aty ku duhet. I këtij mendimi është trajneri i Flamurtarit, Hulian Rubio. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka bërë një analizë të gjendjes së ekipit pas takimit me Tiranën, duke marrë e radhë çdo repart.
Si e vlerësoni gjendjen e ekipit?
Jam i kënaqur me sjelljen e ekipit. Ndeshja me Tiranën ishte e një niveli të lartë nga ana e skuadrës. Flamurtari im po ndryshon.
Skuadra pëson gol në fushën e saj, si e gjykoni?
Në këtë terren është shumë e vështirë, pra e kam fjalën për gjendjen e fushës, ndërsa golat janë pësuar nga goditjet standarde. Nga 6 të pësuar, 5 janë pësuar nga goditjet standarde. Duhet të punojmë më shumë, nuk jemi të vëmendshëm dhe të përqendruar sa duhet.
A është Flamurtari për titullin kampion?
Unë mund t’ju them se duhet t’i marrim me radhë ndeshje pas ndeshje dhe të mbërrijmë aty ku duhet të mbërrijmë. Duhet të shkojmë sa më lart të jetë e mundur.
A mendoni se ka gabuar portieri në këto ndeshje?
Jo, nuk mund ta them këtë. Një gjë është e sigurt: ekipi po reagon pozitivisht, ka shpirt luftarak dhe se sportdashësit vlonjatë duhet të jenë krenarë për skuadrën e tyre.
Tifozët nuk kënaqen vetëm nga loja, por edhe nga rezultati?
E di, por pa lojë normalisht nuk ka as rezultat. Sakaq, do t’u jap mundësi lojtarëve që luajnë mirë dhe jo atyre që luajnë keq.
Si e vlerësoni mbrojtjen e Flamurtarit?
E shikoj se është e angazhuar. Disi të shpërqendruar, jo të vëmendshëm, por gjithsesi e vlerësoj pozitivisht.
Ç’mund të na thoni për Muzakën?
Ju e patë vetë që Muzakës i besova në ndeshjen ndaj Tiranës një pozicion të ri. Më pëlqeu loja e tij.
Po për Vukçeviç, i cili ende nuk po rikthehet?
Ai është i dëmtuar, ka shkuar në vendin e tij pranë familjes. E presim të rikthehet, pasi e kemi të nevojshëm.
Dy ditë pushim dhe më pas ndërpritet kampionati, është periudhë për të reflektuar apo…?
Jo, është e kundërta: për ta nisur punën më me ritëm, me më shumë ngarkesë.
Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"