“Flamurtari, pa presion drejt Superiores”, Ribaj: Grupi garanton suksesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2022 | 23:55

“Flamurtari, pa presion drejt Superiores”, Ribaj: Grupi garanton suksesin

Andi Ribaj i di vështirësitë e kampionatit që do të nisë më 3 shtator në Kategorinë e Parë, por nuk e vë aspak në diskutim objektivin madhor që klubi ka.

ANDI RIBAJ 1

Në një interviste për “Panorama Sport”, kapiteni i vlonjatëve thotë se me këtë grup lojtarësh çdo gjë bëhet më e lehtë. Ribaj ka një vlerësim edhe për futbollistët e afruar deri tani, teksa thotë se ata kanë cilësi që do ta ndihmojnë shumë skuadrën. Sulmuesi fierak, sqaroi se skuadra nuk është aspak në presion, pasi Flamurtari është një fanellë e rëndë.

Ribaj, si po përshtatet skuadra në këto tri javë të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri në Kategorinë e Parë?

Jemi duke u përshtatur mjaft mirë. Aktualisht po punojmë me ngarkesa të larta fizike për të përballuar të gjithë kampionatin. Jemi të vetëdijshëm që ai do të jetë shumë i gjatë dhe i fortë. Ndaj, kemi angazhim maksimal për të punuar sa më mirë dhe të jemi në formën e duhur në nisje të kampionatit.

Janë afruar disa lojtarë të rinj, si i vlerësoni ata?

Klubi ka bërë afrime shumë të mira. Janë futbollistë që kanë bërë mjaft mirë në skuadrat ku kanë luajtur më parë. Kanë cilësi shumë të mira individuale dhe po përshtaten me ambientin dhe me ekipin.

Kam besim që do të japin maksimumin e tyre, duke shfaqur cilësitë për t’i shërbyer skuadrës në realizimin e objektivit që kemi. Secili nga ne e di mjaft mirë se çfarë na kërkohet, se çfarë duhet të japim, kështu që jemi të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën.

Objektiv keni ngjitjen e Flamurtarit në Superiore, e shikoni të arritshëm?

Në fakt gjithçka që po bëhet është në kuadrin e asaj që Flamurtari të ngjitet në elitën e futbollit, aty ku e ka vendin. Presidenti dhe stafi po punonjnë çdo ditë për këtë gjë, kështu që jemi të angazhuar maksimalisht që ta realizojmë këtë objektiv që kemi.

Por,a do të jetë e vështirë me kundërshtarët që do të jenë në garë?

Normalisht që është një kampionat shumë i fortë dhe i vështirë. Por unë kam bindjen se duke parë grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion çdo gjë bëhet më e lehtë.

Ndiheni në presion në këto kushte?

Jo, jo aspak nuk jemi në presion. Kjo sepse me emrin Flamurtar përballemi me çdokënd pa asnjë presion.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"