Flamurtari i ri, skicohet formacioni. Vlonjatët kanë edhe një plan “B”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 12:19

Flamurtari i ri, skicohet formacioni. Vlonjatët kanë edhe një plan “B”

Flamurtari i Superiores është si “dita me natën” me atë të Kategorisë së Parë. Vlonjatët kanë ndryshuar shumë nga ekipi i sezonit të kaluar sa i takon formacionit. Në pritje të nisjes së kampionatit, trajneri Dritan Resuli ka fiksuar edhe ata që do të jenë titullarë në ndeshjen e parë të edicionit të ri, atë me Egnatian në Vlorë.

flamurtari

Llogaritë trajneri Resuli i bën edhe me blerjet e reja, teksa vetë e ka deklaruar se klubi nuk ka probleme me merkaton. Duket se ai ka vendosur ta rreshtojë ekipin në fushë me skemën 4- 3-3. Në portë do të jetë Moçka, ndërsa para tij në mbrojtje do të rreshtohen Ahmetaj në të djathtë, në qendër Qarri dhe Puci, kurse në të majtë Muçollari. Në mesfushë do luajnë serbi Tarik Çmajçanin, Kreshpa dhe Aliaj, ndërsa në sulm Menga, Oliviera dhe Ribaj.

FORMACIONI I MUNDSHEM

Ky me shumë gjasa do të ishte formacioni, nëse Flamurtari do të luante këtë javë, por ekipi mund të ketë ndryshime të vogla. Braziliani Enrike Ramos ka pësuar një dëmtim gjatë fazës përgatitore dhe ende nuk mund të aktivizohet si titullar. Klubi kuqezi ka në plan të afrojë edhe dy brazilianë të tjerë dhe nëse ata vijnë, me shumë gjasa do të jenë titullarë.

PLANI B – Por në Vlorë ka edhe një plan B. Për t’i paraprirë çdo problemi të mundshëm që mund të shfaqet, drejtuesit e Flamurtarit kanë projektuar një ekip me vlonjatë në rastin më të keq, pra nëse nuk arrijnë të federojnë asnjë lojtar të ri. Rreth 20 lojtarë të akademisë janë grumbulluar me ekipin e parë, si Saugli Alimuçaj, Stjuart Leka, Mateo Çipi, Julian Ferro, Juliano Sinaj, Albi Metani dhe Vangjel Gjipali.

RESULI

Ata i bashkohen lojtarëve vlonjatë që ishin te Flamurtari edhe sezonin e shkuar, ku veçohen Mateo Qarri, Arjen Muçollari, Krenviol Kreshpa, Arbion Balilaj, Gersi Diamanti, Denis Aliaj, Reinaldo Mukaj, Ledion Qelaj, Evi Hasanaliaj e ndonjë tjetër. Po ashtu, pjesë e Flamurtarit mbeten në këtë rast edhe titullarët e sezonit të fundit Shpëtim Moçka, Andi Ribaj dhe dy brailianët Souza Oliviera dhe Henrike Ramos.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"