Fjodor Xhafa: Sezoni do të jetë “flakë”, ja pse Flamurtari është favorit për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 23:59

Fjodor Xhafa: Sezoni do të jetë “flakë”, ja pse Flamurtari është favorit për Superioren

Fjodor Xhafa mendon se Kategoria e Parë në sezonin e ri do të jetë një luftë “dhëmbë për dhëmbë” mes skuadrave pretendente dhe të forta. Si pjesë e klubit vlonjat, Xhafa mendon se janë bërë lëvizjet e duhura, ndërsa konfirmon se priten të tjera përforcime.

fjodor xhafa 1

Ish-futbollisti i njohur në një intervistë për “Panorama Sport”, tha se ruajtja e grupit dhe rikonfirmimi i trajnerit Resuli në pankinë, janë pozitive. Edhe pse objektivi është ngjitja në Superiore në vitin 2023, Xhafa apelon që skuadra të bëjë kujdes dhe të qëndrojë me këmbë në tokë, megjithëse thotë se i shikon kuqezinjtë në rrugën e duhur.

Fjodor, si po i ndiqni zhvillimet te Flamurtari?

Me sa kam parë nga afër si përgatitjet dhe lëvizjet që po zhvillohen në merkato, mendoj se gjërat janë në rrugë të mbarë. Me gjithë përforcimet cilësore që pretendohet që do t’i bashkëngjiten skuadrës, jo se nuk më pëlqen grupi aktual, është normale që të kërkohet diçka plus për objektiva madhorë që ka klubi ynë.

Mendoni se ishte gjëja e duhur ruajtja e grupit aktual?

E rëndësishme është vazhdimësia e grupit. Do të ketë hyrjedalje, por është shumë e rëndësishme të ruhet boshti i skuadrës, sepse kanë krijuar fizionominë e lojës së tyre dhe thjeshtë do të ketë nevojë për pak përmirësime dhe jo për revolucion për ta filluar nga e para.

Flamurtari edhe këtë sezon do të drejtohet nga Dritan Resuli. Si e komentoni këtë vazhdimësi?

Mendoj se është zgjedhja e duhur pasi është trajneri që e njeh më mirë grupin. Kushdo që të vinte do të kërkonte të hidhte idetë e tij nga e para. Ndërkohë që baza e vitit të kaluar, mbi 70% e ekipit janë të azhornuar me idetë e Resulit. Ndaj, mendoj se është zgjedhja e duhur.

Ju jeni pjesë e akademisë, ka talente Flamutari për të ardhmen?

Kur flet për moshat apo futbollin në përgjithësi, të gjithë fokusohen te talentet. Mendoj se ka ikur koha e talenteve dhe më shumë të fokusohemi te lojtarët me karakter të fortë në drejtim të punës dhe të këtij profesioni që ka nisur. Talente janë djegur shumë në futboll. Por dikush që ka më pak në drejtim të talentit, por ka shumë në drejtim të punës, kanë arritur t’ia dalin në këtë grup.

Objektivi i klubit, në Superiore në 2023-shin. E shikoni të arritshëm?

Mendoj se po i bëhen shërbimet këtij objektivi. Por duhet të jemi me këmbë në tokë, hap pas hapi. Mendoj se janë në rrugën e duhur për arritjen e këtij objektivi.

Por me Dinamon, Skënderbeun dhe skuadra të tjera, vështirësohet kampionati në Kategorinë e Parë apo jo?

Shiko, është bërë pak a shumë si bajate se thonë të gjithë se kanë ndryshuar pozicionet, Superiorja me Kategorinë e Parë. Normal që kjo e bën garën më të bukur dhe duke pasur në përgjithësi ekipet që kanë pretendime, me ekipet e forta tregojnë dhëmbët. Kjo sepse ka motivimin brenda. Ndërsa me ekipet e dobëta do të kishte shumë hapa fals. Kështu që unë mendoj që është më mirë që është garë e fortë pasi Flamurtari hyn tek ekipet e forta dhe është bonus për vlonjatët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"