“Fitorja ndaj Besës, nga më të bukurat në karrierë”, Sefa në delir: Nuk u dorëzuam…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2019 | 13:19

“Fitorja ndaj Besës, nga më të bukurat në karrierë”, Sefa në delir: Nuk u dorëzuam…

Një nisje fantastike nga Lushnja e këtij sezoni dhe që pas tri javësh kampionat mund të thuhet pa frikë se ajo është kandidate kryesore për ngjitjen në Superiore. E vetme në krye të Grupit B, me 9 pikë të plota dhe e vetmja skuadër në Kategorinë e Parë me 3 fitore, 2 prej të cilave ndaj dy rivalëve kryesorë, Apolonisë dhe Besës.

sEFA2

Përvoja duket se paska ndikim shumë të fortë në kampionatin e së Parës dhe në këto tri ndeshje është vërtetuar plotësisht, ku formacioni lushnjar, veçanërisht dyshja e sulmit, ka zgjidhur situatat. Një përvojë që rivalët nuk e kanë. Por nuk është arritur ende asgjë, sipas trajnerit Ilir Gjyla kërkon vëmendje maksimale për ndeshjet e radhës, ku të tijtë do të sfidojnë dy skuadra të tjera të momentit, Devollin dhe Orikun.

SEFA – Për kapitenin e Lushnjës, sulmuesin Fatjon Sefa, futbolli është i bukur kur fiton dhe entuziazmi nuk mund të fshihet pas kësaj nisjeje të verdhejeshilëve. “Dua ta veçoj ndeshjen me Besën dhe fitoren e së shtunës. Mund ta theksoj që ishte një nga fitoret më të bukura të karrierës sime si futbollist, në aspektin e shpirtit të garës. Ishte një ndeshje e luftuar deri në sekondën e fundit nga ana jonë. E menduam se do ta fitonim ndeshjen, pavarësisht fillimit, ku rezultati shkoi në 0-2.

Nuk u dorëzuam dhe në fund erdhi ajo përmbysje e madhe. Për këtë i përgëzoj të gjithë çunat, të cilët në çdo moment e kishin mendjen te fitorja dhe ia arritëm qëllimit. Futbolli është i bukur, kur fiton. Të motivon edhe më shumë, të shtyn të ecësh përpara për të fituar përsëri.

Kjo na e bën edhe më të lehtë rrugën që kemi nisur drejt Superiores”, thekson kapiteni Sefa. Lushnja gjendej në disavantazh 1-2 deri në minutën e 87-të, por fundi rezultoi i lumtur për verdhejeshilët, të cilët e përmbysën Besën me Cankën dhe Ibrahimllarin.

Këtë të shtunë skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla do të udhëtojë drejt Bilishtit, në një përballje të drejtpërdrejtë me Devollin, që ka vetëm dy pikë më pak se Lushnja. Lushnjarëve u duhet një tjetër rezultat pozitiv për ta ruajtur kreun dhe me përvojën që kanë, kanë shumë besim se do të ecin me të njëjtin ritëm.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"