Fitorja me Apoloninë, flet ish-futbollisti i Erzenit: I kemi të qartë objektivat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 21:30

Fitorja me Apoloninë, flet ish-futbollisti i Erzenit: I kemi të qartë objektivat

Erzeni mori çka deshi në Fier. Ndoshta nuk prodhoi spektaklin që të gjithë prisnin dhe nuk pati goleadë, megjithatë në fund mjaftojnë pikët. Kur dihet që përballë kishin një Apoloni që vjen nga elita, e dinin që kjo transfertë nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë.

apolonia erzeni

Fitorja ka entuziazmuar tifozërinë shijakase, që pret të përsëritet historia. Nëse 20 vite më parë kapën majat e futbollit shqiptar (u ngjitën në Kategorinë e Parë, që sot quhet Superiore), janë gjithnjë e më të bindur se ky edicion do të flasë për ta. Kanë investuar për ngjitjen, ndaj kanë të drejtë të pretendojnë. Një nga personazhet më aktive është edhe Fundim Dollaku, ish-futbollisti njëherazi dhe ish-donator për shumë vite i shijakasve.

Ai ka rolin e koordinatorit të skuadrës, duke krijuar të gjitha kushtet e favorshme për një ecuri të mbarë. Gjatë një deklarate të dhënë “Panorama Sport”, ai skanon 90 minutat e para të këtij kampionati dhe nuk ngurron që të evidentojë punën e mirë që është bërë nga trajneri. “Është një fitore që ka rëndësi të madhe, sepse u luajt në transfertë dhe për më tepër ndaj një skuadre të fortë.

Apolonia vjen nga elita, ndaj cilësinë nuk i mohohen. E megjithatë, ne ia dolëm dhe kjo paraqitje është fryt i një faze përgatitore të shkëlqyer, i teknikut të njohur Nevil Dede si dhe i përkrahësve të pakursyer, tifozëve të Erzenit. Ndonëse kjo ishte vetëm ndeshja e parë, tani ‘lufta’ do të bëhet për vazhdimësinë e skuadrës. Nuk mund të lë pa përmendur këtu sulmuesin Raboshta, që me golin e shënuar na dha tri pikët e para. Tashmë skuadra i ka të qartë objektivat gjatë gjithë sezonit”, përfundon Dollaku.

FIQIRI SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"