Fitorja 5-1 në derbi dhe Ronaldo, Muçi: U luta të vija te Legia, tifozët këtu janë të çmendur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 23:53

Fitorja 5-1 në derbi dhe Ronaldo, Muçi: U luta të vija te Legia, tifozët këtu janë të çmendur

 

Ernest Muçi në 360 gradë. Pas ndeshjes miqësore dhe golit të shënuar klubi i Legias së Varshavës u ofroi tifozëve që për 30 minuta t’i bënin pyetje lojtarit më të ri të skuadrës Ernest Muçi. Ky i fundit foli për gjithçka. Nga ushqimi e deri te ëndrrat e mëdha që ka në futboll.

muci2

Ku jeton në Tiranë?

Afër Liqenit Artificial dhe stadiumit. Për ta thënë më shkoqur shumë pranë stadiumit.

Cilat janë vendet më të bukura për t’u parë në Shqipëri?

Vendet më të bukura për t’u parë në Shqipëri janë Vlora, Saranda. Shqipëria ka male e det. Mund të kënaqesh kudo. Cili është ushqimi shqiptar që pëlqen më shumë? Në shqip thuhet byrek. Mamaja ime e bën shumë të shijshëm. Në çdo cep të Shqipërisë e bëjnë. (kjo pyetje u cilësua më e bukura, pasi vlerësoi mamanë).

Cila është diferenca mes Shqipërisë dhe Polonisë me të cilën je përballur deri tani?

Në Varshavë kam tre ditë dhe nuk mund të them gjë. Janë vende të njëjta. Trafiku ndryshon, sepse këtu e ke më të lehtë të lëvizësh dhe nuk ka bori si në Tiranë.

Çfarë fjalësh di në polonisht?

Dobrano, qesh. Nuk di të tjera.

Si t’u duk stadiumi dhe kompleksi i trajnimit?

Mahnitës! Shumë i madh. Me tifozët do të jetë edhe më mirë, por duhet të mësohemi pa ta. Qendra e trajnimit është më e mira në Ballkan. Nuk kam ç’të them më tepër. Më ka bërë përshtypje.

E dini himnin e Legias?

Nuk kam dëgjuar për të. Shpresoj që ta mësoj, që ta këndoj në ndeshjen që do të luaj.

Si të pritën shokët?

Shumë mirë. Të gjithë ma bënë të lehtë që të isha i qetë në ekip dhe të shkrihesha me skuadrën. Qytetin do të kem kohë ta vizitoj. Tani po lëviz vetëm nga stadiumi apo nga stërvitja në shtëpi.

Keni shënuar gol në stërvitje. Kjo është shenjë që do të shënoni shumë gola?

Nuk do të thotë gjë. Thjesht sa herë do të luaj, do të mundohem të bëj më të mirën që të fitojë skuadra. Golat janë në plan të dytë.

Cili është objektivi yt në planin personal dhe si klub?

Të rritem si lojtar. Jam akoma i ri. Nga shokët e skuadrës mund të mësoj shumë. Si klub që të fitojmë çdo trofe të mundshëm. Edhe në Europë duhet të bëjmë shumë mirë.

muci3

Çfarë keni dëgjuar për tifozët e Legias?

Kam dëgjuar plot gjëra, por kam parë video në “Youtube” që janë goxha të çmendur. Mesa kam dëgjuar janë nga tifozëritë më të mira në botë. E duan shumë klubin.

Momenti më i madh që keni pasur në karrierë?

Momenti më i madh është me ish-klubin tim, kur në derbin me Partizanin fituam 5-1 dhe stadiumi ishte plot. Shpresoj që edhe me Legian të bëj gjëra të mëdha.

Cili sportist të inspiron?

Kristiano Ronaldo, një shembull që duhet ndjekur. Është shumë lart, por çdo gjeneratë ka idhujt e vet. Lebron Xhejms është një tjetër. Janë dy modele që duhen ndjekur. Kanë ardhur nga hiçi.

Përse mban numrin 20?

E kam mbajtur që 16 vjeç. Vjet ndodhi diçka me skuadrën time. Ishte 2020-ta. Më bëri më të fortë. Nëse e mbaj sërish do të isha shumë i lumtur.

Bën diçka të veçantë kur shënon?

Thjesht festoj dhe kënaqem. Festimi është momental. Nuk kam ndonjë rit të veçantë.

Këshilla më e mirë që ke marrë?

Në momentin që shënoja, më kanë thënë: “Vazhdo me këtë ritëm. Rrit nivelin”.

muci4

Cilin sport pëlqeni veç futbollit?

Basketbolli, sepse e kam luajtur kur isha i ri. Futbolli mbetet në vend të parë.

Shqipëri-Poloni luhet në të ardhmen?

Gjenerata e lojtarëve si puna ime po rritet. Polonia është skuadër e mirë. Gjithsesi, do të jetë një ndeshje e fortë, sepse Shqipëria nuk dorëzohet. Do të jetë një ndeshje e vështirë.

Një vlerësim për shqiptarët?

Sa për shqiptarët, ata janë shumë mikpritës dhe të ndihmojnë. Nëse je në vështirësi të gjenden kudo. Nuk i shohin si armiq të huajt. Është kënaqësi ta vizitosh atë vend.

Tifozët shqiptarë?

Të jem i ndershëm tifozëri ka një ose dy. Janë tifozëritë e derbit të kryeqytetit. Më të mirët janë tifozët e Tiranës. Janë të çmendur. Nuk janë si të Legias, mundohen, por janë të mirë.

E pret një ftesë nga Kombëtarja?

Shpresoj nëse luaj mirë. Unë jam gati, por me 19 dhe 21-vjeçarët kam luajtur. Duhet të luaj me Legian për të treguar më shumë.

Ke luajtur FIFA 2021?

Para karantinës shumë, por më pas nuk pata kohë. Ndoshta luaj në të ardhmen.

Çfarë do të bësh që të kalosh idhullin tënd Kristiano Ronaldon?

Të punoj fort. Kjo është rruga e vetme.

Cili është lojtari më i mirë shqiptar?

Ka pasur shumë, por besoj Igli Tare. Ka luajtur me Kombëtaren dhe Lacion. Ka shumë, por shpresojmë që ta ndryshojmë këtë histori.

Kujt ia dedikoni atë që keni arritur deri më sot?

Familjes time. Kanë sakrifikuar shumë për të ardhur këtu dhe për të përmbushur këtë ëndërr.

Cilin nga opsionet preferon. Të shënosh minutën e fundit dhe të fitosh ndeshjen apo të japësh tri asiste?

Pyetje me hile. Nëse shënoj dhe kam mundësi do ta bëj, nëse jo do të kaloj topin. E njëjtë është për mua, mjafton të fitojmë ndeshjen.

Kur e vendose që të shkoje te Legia?

Kur më foli agjenti im. I thashë të lutem mbylle këtë transferim.

legia muci

Çfarë mendon për Mbapenë?

Ylli i ardhshëm do të jetë. Do të mbretërojë kur Mesi dhe Ronaldo të largohen nga futbolli.

Do të bëhesh më i mirë se Levandovski?

Do të jetë pak e vështirë, sepse është shumë lart. Nuk them se nuk ka gjëra të paarritshme. Me shumë punë dhe fat mund të shkosh shumë lart. Futbolli është 50 përqind fat dhe ku i dihet…

Lojtari që të priti më mirë?

Vako. Më mbështeti dhe më tregoi qytetin.

Kam parë një goditje dënimi magjike tënden. Sa herë ke shënuar?

Dy tre-herë, por nuk i ekzekutoja unë. Në ndonjë rast e bëja kur ndeshja ishte mbyllur.

Do të festosh nëse shënon kundër Tiranës?

Jo nuk do ta bëj. Polaku i preferuar në futboll? Levandovski. Është nga më të mirët në botë.

Pozicioni që preferon në fushë?

Sulmuesi dhe numri 10, por mund të luaj në çdo pozicion të sulmit.

Je gati për derbin e Varshavës?

Nëse aktivizohem do të jap maksimumin në fushë.

Si ndihet një lojtar para ndeshjes. I gëzuar apo i stresuar?

Njoh shumë lojtarë që një natë para ndeshjes nuk i zë gjumi. Janë të stresuar dhe shumë të emocionuar. Unë nuk vuaj ndonjë problem. Për mua si kundërshtari i fortë dhe i dobët është njëlloj.

mUCI

Ëndrra jote më e madhe?

Të luaj në një nga skuadrat e mëdha, si dhe me kombëtaren të arrij shumë lart.

Çfarë të bën që të ngrihesh përditë në mëngjes dhe të stërvitesh?

Luaj futboll që 5 vjeç. Shtëpinë e kisha një orë larg nga fusha. Dashuria për futbollin më bën që të luaj dhe stërvitem përditë.

Transferta në një klub polak do të jetë e lehtë apo e vështirë për Muçin?

Do të jetë e lehtë për të luajtur me një skuadër, e cila është shumë teknike dhe që ka lojtarë shumë të mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"