Firmosin edhe 7, Lushnja ka vetëm 4 vende bosh. Trajneri Gjyla do edhe tri përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 17:48

Firmosin edhe 7, Lushnja ka vetëm 4 vende bosh. Trajneri Gjyla do edhe tri përforcime

Lushnja e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla humbi 2-1 në miqësoren ndaj Erzenit, e dyta kjo për verdhejeshilët në përgatitjet verore.

gjyla

Tekniku lushnjar ka përsëritur kërkesën se skuadra ka nevojë edhe për 2-3 përforcime, sidomos në prapavijë. “Ishte një ndeshje, siç e kam thënë edhe herë tjetër, për të thyer monotoninë e stërvitjeve të tanishme. Megjithatë, edhe vetë ndeshja në vetvete është ngarkesë për futbollistët. Në Shijak luajtëm me dy formacione, fillimisht me të parin, pastaj futëm 11 lojtarë të tjerë, pastaj edhe 3 djem të rinj. Këta të rinj nuk i kam marrë për t’i provuar, pasi e di që këtu do t’i kem, aq më tepër që mosha e tyre është e vogël. Do të jenë te skuadra e të rinjve edhe për dy vjet, por i futëm për t’i parë ku jemi. Mendoj se Lushnja ka nevojë edhe për dy-tre përforcime. Patjetër, na duhet për qendrën e mbrojtjes një lider, një futbollist i pjekur për këtë rol. Jo se këta që kemi nuk e bëjnë mirë detyrën, por dalëngadalë, me ndeshjet dhe stërvitjen që do të bëjmë, lideri formohet”, ka deklaruar fillimisht trajneri Gjyla.

FIRMAT – Te Lushnja kanë firmosur edhe 7 futbollistë të tjerë, duke e çuar kështu në 20 numrin e atyre që kanë kontratë me klubin verdhejeshil për sezonin e ri. Lojtarët që kanë firmosur së fundmi me Lushnjën janë portieri Arjol Kaloshi, mbrojtësit Adriatik Basha dhe Marjus Korreshi, mesfushori Melis Haxhiu, si dhe sulmuesit Armando Mezini, Diedo Zhuga dhe Rediol Ademi. Tashmë, te Lushnja janë vetëm 4 vende bosh, që pritet të mbushen nga afrimet në merkato, me ata lojtarë që trajneri Gjyla thotë se i duhen patjetër skuadrës.

Capture

“Puna jonë vazhdon në stërvitje, ndërsa ndeshjet miqësore do të na ndihmojnë më shumë që të konsolidohemi. Kemi firmosur edhe 7 kontrata të reja me futbollistët që kemi pasur nga viti i kaluar. Ka shkuar në 21 numri i futbollistëve që kanë firmosur dhe jemi duke pritur për të tjerë elementë cilësorë, por mund të vazhdojmë edhe me këta që kemi”, ka sqaruar më tej tekniku i lushnjarëve, Ilir Gjyla.

MIQËSORET – Lushnjarët kanë në plan të luajnë dy miqësore për javën e ardhshme. Të mërkurën ata do të luajnë në “Roza Haxhiu” ndeshjen e “kthimit” me Erzenin, ndërsa të shtunën do të shkojnë në Kavajë për t’u ndeshur me Besën. Pas këtyre miqësoreve do të jetë edhe më e qartë për stafin teknik gjendja e skuadrës.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"