Firma çështje orësh, portieri që spikati këtë sezon në Superiore thuajse i Dinamos: Më donin shumë, por blutë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2021 | 20:04

Firma çështje orësh, portieri që spikati këtë sezon në Superiore thuajse i Dinamos: Më donin shumë, por blutë…

Vetëm një firmë e ndan Romeo Harizajn dhe Dinamon, formalitet që pritet të ndodhë këto 2 ditë. Transferimi ka kohë që përflitet, por pengesa e vetme ishte interesi i klubit për ta shitur jashtë. Në mungesë të një oferte bindëse nga klubet e huaja, Apolonia i qëndron besnike marrëveshjes paraprake që pati arritur me homologët e bluve.

romeo harizaj

Ndonëse ka luajtur me një skuadër modeste, gardiani mallakastriot spikati në elitë. U dallua si një nga më të mirët në rolin e vet dhe sidomos në lojën me këmbë, i ngjashëm me staturën e Xhordan Pikford të Anglisë. Krerët e klubit fierak e pranojnë se 22-vjeçari thuajse është pjesë e kryeqytetasve për sezonin e ri, pasi kanë mbetur vetëm pak detaje për të përmbyllur operacionin. Pra, e thënë ndryshe, sot ose maksimumi nesër, do të mbyllet kalimi i gardianit drejt “nëndetëses” dhe me shumë interes mbetet kostoja e këtij operacioni.

KONFIRMIMI

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Apolonisë nuk e fsheh entuziazmin për hedhjen e një tjetër hapi në karrierë, teksa i jep atributet klubit fierak për këtë akord. “Jam i kënaqur për atë që më ka dhënë dhe i kam dhënë Apolonisë deri tani. Prej kësaj skuadre arrita edhe ekipin përfaqësues të Shqipërisë, prandaj Apolonia mbetet në zemrën time gjithmonë dhe kudo që të jem”, u shpreh fillimisht Harizaj.

Më tej, portieri flet për variantin “Dinamo”. Detaje nuk jep shumë, por qartësisht kuptohet se e ardhmja e tij do të vijojë atje. “Së pari, dua të them që në krye se është vendim i klubit për të ardhmen time dhe unë nuk kontestoj asgjë. Nëse do të jem pjesë e Dinamos? Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të veshësh fanellën e një prej klubeve më të titulluara në Shqipëri, një skuadre që e ka marrë seriozisht rikthimin me objektiva madhorë në Kategorinë Superiore.

Nuk ka vlerë të përmend emra ekipesh të tjera që patën interes dhe oferta për mua, sepse Dinamo ka qenë më këmbëngulësja që në fillim dhe më seriozja, ndaj dhe unë do të ndihem i privilegjuar të përfaqësoj këtë skuadër, ku kanë luajtur disa nga emblemat e portës shqiptare, si: Ilir Luarasi, Foto Strakosha apo dhe legjenda, si: Vasillaq Zëri, Ilir Përnaska, Muhedin Targaj, Sulejman Demollari etj.

Hoxha Harizaj Lata

Nëse do të vendoset përfundimisht, unë do të vazhdoj të punoj në maksimumin tim për këtë klub të madh, sepse Dinamo është dhe do të mbetet një nga ekipet më me emër në historinë e futbollit tonë”, ka përfunduar shtatlarti, që me bardhejeshilët në 4 kampionate radhazi numëron 79 ndeshje në total. Ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në pjesën fundore të kampionatit që lamë pas. Pasi ka luajtur për ekipin Shpresa, këtë vit ai u bë edhe pjesë e ekipit të parë kombëtar dhe kjo është pa dyshim një arritje për 22-vjeçarin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"