Festë dhe lutje nga kisha e Anjelëve, presidenti i Juventusit nuk toleron më: Dua titullin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 23:56

Festë dhe lutje nga kisha e Anjelëve, presidenti i Juventusit nuk toleron më: Dua titullin!

Nuk ishte ajo mësymje e viteve të më parshme, kjo edhe si rrjedhojë e rritjes së papritur të çmimit të biletës (më shumë se 50 euro). Madje, nuk ishte as dita e sfilatës në dukje normale për Juventusin e trofeve të fituar një sezon më parë, duke qenë se atë e mbyllën pa asnjë në muze, por gjithsesi për 2500 të pranishmit (nga 5000 vende që mban stadiumi në shtëpinë e Anjelit), gjithsesi u relaksuan dhe kaluan një pasdite shumë të bukur.

anjeli

Rreth orës 16:00 në “Villar Perosa”, presidenti Andrea Anjeli priti skuadrën e mbërritur me autobus, teksa tifozët ishin pozicionuar përballë hyrjes së brendshme për të parë beniaminët e tyre. Dhe kuptohet qartë, më i duartrokituri nuk kishte se si të mos ishte Pol Pogba, duke treguar se sa shumë tifozët e Juves e kishin pritur francezin në Torino.

Ndërkohë, edhe Di Maria pati shumë eufori përreth, ashtu sikurse Vlahoviç e Kieza. Madje, edhe vetë Anjelit dukej se kjo atmosferë i kishte munguar, pasi në dy vitet e kaluara ndeshja brenda familjes bardhezi, në shtëpinë e familjes Anjeli, nuk ishte zhvilluar si rrjedhojë e COVID-it. Dhe për ta treguar sa e madhe ishte edhe nostalgjia në ditën e 100- vjetorit që familja Anjeli kishte marrë drejtimin e Juventusit, presidenti bardhezi i thirri të gjithë përpara kishës së familjes, aty ku prehen edhe trupat e Umberto e Xhani Anjelit:

“Juventusi dhe Anjeli janë traditë, është diçka unike, sepse një lidhje kaq e fortë është e vështirë që të ndërtohet dhe të jetojë kaq gjatë. Por ne jemi këtu që ta zgjasim edhe shumë më shumë sesa këto 100 vite, por me objektivin për të nisur së fituari të tjerë trofe.

Madje, titullin kampion e dua këtu, pikërisht përballë kësaj kishe të familjes sime, pasi lidhja jonë është e shenjtë dhe nuk ka asnjë klub tjetër që të ketë kurrë në historinë e futbollit një jetëgjatësi si e jona. Sot (dje) jemi mbledhur këtu për të nderuar sa më gjatë që të jetë e mundur, ata që e morën dhe e mbështetën klubin e Juventusit, për ta bërë një ndër më të mëdhenjtë në botë”.

PUSHTIM FUSHE – Pas fjalëve emocionuese të Anjelit, skuadra e Alegrit dhe Juventusi U-23 dolën në fushën e lojës për miqësoren brenda familjes, e cila u fitua nga skuadra e parë 2-0. Pas 3 minutash ishte Lokateli që zhbllokoi sfidën me një të djathtë, ndërsa dyfishimi erdhi me kokë nga Bonuçi, kur menjëherë pas golit të kapitenit, për të nisën edhe koret:

“Na sill titullin”. Ndërkohë, starti i pjesës së dytë zgjati vetëm 2 minuta, sepse shumë prej të pranishmëve vendosën që të pushtojnë fushën dhe të shkojnë të takojnë idhujt e tyre, të cilët nuk ngurruan që t’i dhuronin foto e autografe tifozëve të ardhur nga e gjithë Europa.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"