Ferrari do podiumin, makina e re me 30 kuaj fuqi më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2021 | 18:56

Ferrari do podiumin, makina e re me 30 kuaj fuqi më shumë

Në shtëpinë e Ferrarit po punohet në detajet e fundit për njëvendëshen që do të hidhet në pistë në Botërorin e 2021-shit, me të cilën skuderia italiane kërkon të lërë pas krahëve një prej kampionateve më zhgënjyese siç ishte edicioni i kaluar.

sebastian-vettel-ferrari-sf100

Makina e re do të quhet SF21 dhe do të jetë një zhvillim i veturës së sezonit të fundit, duke qenë se nuk priten ndryshime të mëdha për shkak të rregullave që duhet të zbatojnë të gjithë konstruktorët në këtë vit.

Ajo do të prezantohet në testet e Barcelonës më datat 2-4 mars, pa ndonjë ceremoni të veçantë. Megjithatë, në Maranelo filtron optimizëm për makinën e re, e cila ka pësuar disa modifikime në pjesën e pasme, ku shpresohet që të arrihet një eficiencë më e lartë aerodinamike dhe më shumë qëndrueshmëri tek gomat.

Ndërkohë për sa i përket motorit të ri, Ferrari synon që të fitojë edhe 30 kuaj të tjerë fuqi, duke e reduktuar diferencën e madhe që kishte me makinat e tjera në botërorin 2020.

Rikuperimi ndaj Mercedesit megjithatë duket utopi, ashtu sikurse e ka pranuar edhe vetë Matia Binoto, për vetë faktin që investimet më të mëdha pritet që të bëhen në vitin 2020, kur do të futet në fuqi edhe rregullorja e re. Por Ferrari tashmë kërkon të bëjë hapin e parë, teksa synon që të rikthehet në podiumin e konstruktorëve pas një sezoni për t’u harruar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"