Ferraj te Dinamo, pritet edhe Udoh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2014 | 12:02

Ferraj te Dinamo, pritet edhe Udoh

Cimili-dhe-FerrajDrejtuesit e klubit të Dinamos vijojnë të jenë aktivë në këtë merkato vere. Krerët blu gjatë periudhës së fazës përgatitore kanë arritur të afrojnë disa lojtarë cilësorë. Kujtojmë këtu që grupit i janë bashkuar Jozef Thana, Johanc Duqi, Klodian Sulollari, Silvestre Shkalla, Grandi Keta dhe Erjon Xhafa. Mirëpo, përveç këtyre emrave, pritet që në ditët në vijim të afirmohen dhe të tjerë futbollistë, të cilët kanë cilësi dhe që premtojnë për ndërtimin e një skuadre për në elitë. E vetmja dilemë është ajo e mesfushorit Erald Turdiu. Tiranasi, i ardhur nga skuadra e Kastriotit, ende nuk u ka dhënë përgjigjen përfundimtare bluve nëse do të jetë apo jo pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri futbollistik.
Ferraj & Saraçi Mesfushori i krahut të majtë, Nertil Ferraj, me shumë gjasa, do të jetë firma e radhës për Dinamon. Ish-lojtari dinamovit, i cili ka fituar dy tituj kampionë me këtë skuadër, është rikthyer sërish nën urdhrat e trajnerit Mehmeti. Mirëpo, nga burime informative pranë lojtarit mësohet se, nëse ai nuk do të largohet në ekipe të elitës, do të qëndrojë te Dinamo edicionin e ri futbollistik. Ndërkohë që sa i përket portierit Endri Saraçi, i cili është një prodhim i akademisë bardheblu, dje është paraqitur në ekip. Ai do të vijojë përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Vendimi për të pritet të merret brenda javës, nëse do të qëndrojë ose jo te Dinamo.
Nigeriani Në seancën e sotme te Dinamo pritet të dalë në fushë edhe nigeriani i Partizanit, Feliks Udoh. Lojtari i linjës së majtë ka shprehur dëshirën për t’iu bashkangjitur ekipit kryeqytetas, ndërsa është pranuar që t’u bashkohet bluve. Udoh ka një kontratë me të kuqtë, por që pritet ta zgjidhë në mënyrë konsensuale për të qenë pjesë e Dinamos në vijim. Megjithatë, as ky futbollist nuk do t’i anashkalojë “sitës” së trajnerit Dritan Mehmeti.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"