Fantazi dhe pasime milimetrike, kthehet “hajmalia” e Gatuzos. Higuain e do pas shpine

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 19:09

Fantazi dhe pasime milimetrike, kthehet “hajmalia” e Gatuzos. Higuain e do pas shpine

Kronikat ekonomike gjatë muajit gusht na kanë mësuar se lira turke e luhat shpesh vlerën e saj, ndërsa ari u reziston mirë turbulencave të tregut dhe një bizhuteri si Hakan Çalhanoglu nuk e humb lehtësisht vlerën në momente krize. Përkundrazi. Djaloshi i lindur në Manhaim, sigurisht, ka pasur problemet e tij mes jetës personale dhe skualifikimit, por tani është gati të marrë kuqezinjtë përdore, nën ritëm pasimesh dhe fantazie, madje që në takimin e së premtes ndaj Romës.

calhanoglu

Rrezja e veprimit – Në ndeshjen ndaj Napolit u pa një Milan që për një orë ishte në lartësinë e skenës, një koncept ky i përmendur edhe nga trajneri një ditë më parë. Gjithashtu, Gatuzo foli edhe për pakicë topash në shërbim të Gonzalo Higuainit, por kjo e dhënë është relative, pasi duhet marrë në konsideratë edhe karatura e rivalëve të së shtunës. Në aspektin ofensiv, “Asi” kuqezi mund të rezultojë Hakan Çalhanoglu, me turkun që ndryshe nga kolegu në korsinë e kundër, është më i aftë të krijojë lojë duke bërë rolin e “hallkës” mes mesfushës dhe vijës së parë. Për të kuptuar më mirë idenë, marrim si shembull Tiemue Bakajokon, i zoti për të vjedhur topa, por pak i aftë në ndërtimin e lojës. Për francezin, një mundësi shkarkimi të topit drejt numri 10 kuqezi mund të rezultonte një variant i mirë loje, sidomos për sa i përket fazës sulmuese.

Protagonist – Xhenaro Gatuzo vijon të punojë me skemën 4-3-3 që shndërrohet në 4-2-3-1. Të dyja këto module janë gjithashtu terren pjellor për lojën e Çalhanoglusë. Turku bën më së miri anësorin në tredhëmbëshin ofensiv, por duke parë të kaluarën si fantazist, mund të jetë edhe një burim i mirë loje pas shpinës së sulmuesit të vetëm. Cilido qoftë rreshtimi, 24-vjeçari duket një balsam i mirë për plagët e kuqezinjve, të cilët pas dy ditësh do të kenë një tjetër provë zjarri.

Capture

Ndaj Romës një tjetër dështim do të ishte i rëndë, si për aspektin psikologjik të skuadrës, ashtu edhe për stolin e Xhenaro Gatuzos, teksa fantazisti turk shihet si emëruesi i përbashkët për zgjidhjen e problemeve kuqezi. Nga ana tjetër, në ekip është edhe Gonzalo Higuain, i cili në këto javë të para si kuqezi ka lidhur shumë miqësi me Çalhanoglunë. Dyshja poston foto nga stërvitjet, teksa një ditë më parë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, turku nënvijëzonte ngutin e tij për të luajtur me “El Pipitan”. “Mezi po pres të premten për të filluar sezonin me Gonzalon dhe tifozët kuqezinj”, shkruante 24-vjecari.

Misioni – Detyra e parë e Çalhanoglusë në takimin ndaj Romës do të jetë shtimi i vlerës teknike të skuadrës. Për numrin 10 kuqezi është një rast i mirë për të harruar sfidën e fundit, pikërisht ndaj verdhekuqve ku Milani mundej në “San Siro” 0-2, ndërsa turku largohej nga fusha përpara kohe për shkak të dy kartonëve të verdhë. Nëse ai arrin të shndërrohet në një “qepës” mes reparteve, do të bëjë një hap të mëtejshëm përpara në karrierën e tij, sepse fundja në moshën 24- vjeçare përpara çdo futbollisti cilësor shfaqet një kryqëzim ku nga njëra anë janë lojtarët cilësorë, ndërsa nga tjetra ata që kanë klas.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"