Ermir Lenjani: Rrezikova për Kombëtaren, ia vlejti

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Prill 3, 2015 | 12:10

Ermir Lenjani: Rrezikova për Kombëtaren, ia vlejti

lenjani

Ermir Lenjani është një nga lojtarët që zgjodhi De Biazi për t’i futur nga stoli dhe për të ndryshuar ndeshjen me Armeninë. Mesfushori i Renes nuk vinte me minuta të shumta në kampionatin francez përpara sfidës me Armeninë, ndaj edhe trajneri i Kombëtares s’e aktivizoi atë që nga minuta e parë.

Megjithatë, mesfushorit i mjaftuan 45 minuta për të bërë një paraqitje të mirë dhe dhënë ndihmesën e tij për kuqezinjtë. Në një intervistë për uebsajtin “Telegrafi.com”, djaloshi nga Karaçeva e Kamenicës tregon se si rrezikoi karrierën e tij për të ndihmuar Kombëtaren që të merrte tri pikë të rëndë- sishme ndaj Armenisë.

“Vërtet ka qenë një ndeshje që nuk do të harrohet kurrë. Ishte ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë që nga periudha që kam ardhur në Kombëtare. Ishte ndeshje që ta ndal frymën”, u shpreh fillimisht Lenjani.

Dëmtimi

Mesfushori u dëmtua në momentin kur pë- soi një ndërhyrje të rëndë, që ishte e dyta për armenin Hambardzumian dhe Armenia mbeti me 10 lojtarë në fushën e lojës. “Kur lojtari i Armenisë bëri ndërhyrjen që u ndëshkua me të kuq, pësova një lëndim të rëndë. Rrezikova që e vazhdova lojën, por nuk doja t’i lija në baltë shokët. Isha i vendosur që ta fitonim atë ndeshje dhe t’i bënim të gjithë shqiptarët e lumtur”, ka treguar mesfushori i Kombëtares. Sipas Lenjanit, dëmtimi ishte i rëndë dhe mund të sillte edhe pasoja të rënda për të, por lojtari ka “shtrënguar dhëmbët” dhe nuk pranoi që të dilte nga loja. “Rrezikova karrierën për atë fitore, por më besoni që ia ka vlejtur, pasi ishte fitore e madhe”, deklaroi Ermir Lenjani. Sipas mesfushorit, ndihmesa e tifozëve ka qenë një shtysë e madhe për të dhe për të gjithë lojtarët e Kombëtares që kanë dhënë më të mirën e tyre në fush- ën e lojës për një ndeshje që ishte vendimtare për fatin e Shqipërisë në rrugën drejt “Francë 2016”. “Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët që ishin të mrekullueshëm, pasi pa ata nuk do t’ia dilnim”, vijoi Lenjani.

Minutat

Lojtari 25-vjeçar flet shkurtimisht edhe për minutat që i dha De Biazi në këtë ndeshje. “Se sa minuta luaj unë, këtë e vendos trajneri. Unë jam në gjendje që të luaj 120 minuta, por edhe 45 minuta apo edhe një minutë të vetme. Kur bëhet fjalë për Kombëtaren, do të jap 200% nga vetja për të sjellë më të mirën, qoftë edhe për një minutë të vetme”, shprehet Lenjani. Ëndrra e të gjithë shqiptarëve është tashmë pjesë edhe e vetë dëshirave të lojtarit, i cili kërkon me çdo kusht një vend në “Francë 2016” me Shqipërinë.

Kualifikimi

Mesfushori tregon se shanset janë maksimale, që kuqezinjtë t’i mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme këto kualifikuese, me rezultate që do të mund të bënin realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Ecuria e Shqipërisë në gjysmën e parë të ndeshjeve ka bërë që lojtari të ketë besim se Kombëtarja të mund arrijë kualifikimin direkt, pa pasur nevojën e ndeshjeve “play-off”. “Synimi ynë është të mos mposhtemi deri në fund dhe të shkojmë direkt në ‘Francë 2016’. Mirë- po, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të luftojmë edhe në ‘play-off’ për ta bërë ëndrrën realitet”, përfundoi Lenjani. Aktualisht, mesfushori i Renes nuk po kalon formën më të mirë të mundshme, pasi edhe minutat në dispozicion të tij s’kanë qenë të shumta në kampionatin francez. Dëmtimi i pësuar në kofshë do ta lërë Lenjanin për të paktën dy javë jashtë fushave të lojës.

 





www.minuta90.com