Ergys Kaçe, lojtari i ri më i mirë i vitit 2013

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2014 | 13:17

Ergys Kaçe, lojtari i ri më i mirë i vitit 2013

Kace ne fotoSensacionale! Ergys Kaçe shpallet lojtari i ri më i mirë i vitit 2013 në Superligën greke. Në mbrëmjen gala të zhvilluar dje nga Federata e Futbollit të Greqisë, krahas çmimeve për trajnerin, lojtarin dhe golashënuesin më të mirë, mesfushori shqiptar i PAOK-ut ka dalë i pari në anketën për sa u përket talenteve të kampionatit helen. Edhe pse në vitin e tij më paradoksal, teksa në periudhën shtator-dhjetor 2013 nuk luajti asnjë ndeshje për PAOK-un, përsëri talenti shqiptar mori vlerësimet më të mëdha nga trajnerët dhe kapitenët e skuadrave të Superligës greke. Mes dhjetëra të rinjve të kampionatit helen, korçari është vlerësuar për paraqitjen mbresëlënëse që ka bërë në muajt janar-maj të vitit të kaluar, duke ndihmuar skuadrës selanikase ta mbyllë kampionatin në vendin e dytë. Bëhet fjalë për pjesën e dytë të sezonit të kaluar, ndërsa për sa i përket këtij sezoni, në tre muajt e parë Kaçe u pezullua nga klubi selanikas, pasi kishte veshur fanellën me mbishkrimin: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Një foto e tij në “Facebook” u bë çështje në Greqi, aq sa gjatë fundvitit të kaluar mesfushori u aktivizua vetëm me Kombëtaren shqiptare, ndërsa te PAOKu vuajti pezullimin. Ai u kthye në fushë në janar të këtij viti në ndeshjen e kupës PAOK-Iraklis. Tashmë Kaçe ka zënë sërish vend në formacionin e selanikasve, duke qenë ndër të preferuarit e trajnerit Hub Stivens.
Reagimi Pas dorëzimit të çmimit dhe kësaj arritjeje të madhe personale, Kaçe deklaroi ndër të tjera se këtë sukses ua dedikon tifozëve të PAOK-ut. “Falënderoj Federatën e Futbollit të Greqisë, trajnerët dhe shokët e skuadrës sime që më dhanë këtë mundësi. Ky çmim i kushtohet familjes sime, që më ka qëndruar gjithnjë pranë dhe veçanërisht tifozëve të PAOK-ut, të cilët më kanë mbështetur në çdo ndeshje”, – ka thënë i emocionuar Kaçe. Gjatë këtij sezoni, nga 22 ndeshje të zhvilluara deri më tani në kampionatin grek, mesfushori është aktivizuar vetëm në katër prej tyre.

Vajushi ndëshkon rusët, paqe mes Ujkanit e Hysajt
Armand Vajushi ka shënuar dje për Liteksin në miqësoren kundër skuadrës ruse, Amkar Perm. Ndeshja ka përfunduar me shifrat e barabarta 1-1. Si titullar për Liteksin e ka nisur vetëm një nga shqiptarët, pikërisht fantazisti Jurgen Gjasula. Ky i fundit është bërë protagonist me disa asiste për sulmuesit gjatë pjesës së parë, por gjithsesi ky fraksion u mbyll me rrjeta të paprekura. Në 45 minutat e dyta skuadrat bënë disa ndryshime, ndërkohë që në fushë u fut edhe Vajushi. Fillimisht kaluan në avantazh rusët me anë të Pikushta, ndërsa në minutën e 70-të barazoi Vajushi. Gjatë një kundërsulmi të bullgarëve, shkodrani dribloi një mbrojtës rus dhe i vetëm me portierin nuk fali. Aktualisht Liteksi i Gjasulës dhe Vajushit vazhdon fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Kampionati bullgar nis fazën e dytë më 22 shkurt, teksa Liteksi luan në shtëpi kundër Beroe.
Derbi – Është luajtur dje edhe kryendeshja e Serisë B, Empoli-Palermo, ku aktivizohen dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, respektivisht mbrojtësi Elseid Hysaj dhe portieri Samir Ujkani. Takimi ka përfunduar në barazim 1-1, ndërkohë që dy shqiptarët kanë qenë në fushë për 90 minuta. Pas kësaj ndeshjeje, Palermo e Ujkanit vazhdon të mbajë kryesimin në Serinë B italiane, ndërsa Empoli i Hysajt është në vend të dytë, me vetëm dy pikë më pak.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"