Erdhi si mesfushor, luan në mbrojte, Qato: Luftëtari mbijeton! Me Flamurtarin duam shkëputjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 20:00

Erdhi si mesfushor, luan në mbrojte, Qato: Luftëtari mbijeton! Me Flamurtarin duam shkëputjen

Të predispozuar për të dhënë më të mirën për ndeshjen e radhës, Luftëtari po e shfrytëzon në maksimum ndërprerjen e kampionatit, me shpresën se ndaj Flamurtarit do të jenë gati për një rezultat pozitiv. 

qato luftetari

Skuadra është formuar pak ditë para startit të sezonit, kështu që lojtarët kanë nisur ta njohin më mirë njëri-tjetrin dhe të tregojnë vlerat e tyre. Njëri nga këta është edhe mesfushori Kliton Qato, i cili me paraqitjen e javëve të fundit ka lënë gjurmë në radhët e formacionit bluzi. Për “Panorama Sport”, 21- vjeçari tregon kontributin e tij në ekip, rolin e ri, ndeshjen me Teutën, si dhe vazhdimësinë.

“Në ndeshjen ndaj Teutës dhashë më të mirën, si gjithë ndeshjet e tjera. U mundova të tregoja cilësitë dhe besoj se bëra mirë, pavarësisht pozicionit tim. Unë luaj si mesfushor qendre, por kam katër ndeshje që aktivizohem si mbrojtës i krahut të djathtë. Jam i predispozuar dhe i vendosur për të dhënë gjithçka nga vetja në shërbim të rezultateve pozitive”, u shpreh fillimisht Qato.

FLAMURTARI– Transferta e Vlorës është jetike për Luftëtarin në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të mbijetesës. Në lidhje me rëndësinë e këtij takimi dhe misionin mbijetesë, Qato u shpreh: “Flamurtari është rivali ynë direkt për objektivin mbijetesë dhe si të tillë e vlerësojmë çdo ditë e më shumë në stërvitje. 3 pikë të mundshme, për të cilat do të hyjmë në fushë, na shkëpusin nga fundi i klasifikimit. Të japim maksimumin të gjithë, duke filluar nga ne të rinjtë. Është mundësia më e mirë që të gjithë të shprehim cilësitë përballë një rivali direkt.

Jemi grup i ri dhe me cilësitë tona besoj dhe shpresoj se do të arrijmë të jemi pjesë e Superiores në fund të sezonit. Në stërvitje si dhe ndeshje zyrtare, falë frymës dhe karakterit që na imponon stafi teknik, japim 100% të kapacitetit tonë dhe kësisoj jemi të bindur se Luftëtari do mbijetojë. Shpresat nuk i humbim, përkundrazi ne besojmë në forcën dhe karakterin tonë si futbollistë. Falë mbështetjes së drejtuesve, duke filluar me stafin teknik dhe presidencën, Luftëtari do mbijetojë, pasi ka cilësi dhe mundësi reale”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"