Elbasani nuk frymëzon më, nga Kategoria e Parë në të Tretën, të gjithë në inferiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 20:08

Elbasani nuk frymëzon më, nga Kategoria e Parë në të Tretën, të gjithë në inferiore

“Na ishte njëherë… Elbasani”. Nuk bëhet fjalë për një përrallë, por për një histori të vërtetë e qarkut të Elbasanit, të cilit iu bënë vite që nuk po përfaqësohet në nivele të larta të futbollit shqiptar, por po zbret gjithnjë e më poshtë. Këtë sezon bëhet viti i katërt që elita nuk e ka një skuadër, e cila të përfaqësojë një nga qarqet më të mëdha dhe të rëndësishme në vend dhe ka gjasa që kjo gjë të vazhdojë edhe të paktën këtë vit. Nuk lëngon vetëm klubi i Elbasanit, por edhe Shkumbini, Sopoti, Gramshi, Domosdova dhe më pak Turbina, e mësuar të jetë gjithnjë në Kategorinë e Parë.

elbasani

SITUATA

Marka “Made in Elbasan” ka kohë që është zhdukur, por mungesa e kësaj marke ka dëmtuar edhe ekipet e tjera të qarkut. Problemet më të mëdha shihen në rrafshin financiar, ndonëse financat diku janë ndier më shumë dhe diku tjetër më pak. Për ta nisur me Elbasanin, një klub totalisht në “ajër” dhe pa asnjë projekt, për më tepër që ka hyrë në një labirint aksionesh dhe nuk i dihet si do t’i vejë fundi. Dikur qarku krenohej me Shkumbinin, një skuadër që prej disa vitesh radhazi qëndroi në Superiore, por prej gjashtë vitesh nuk bën më pjesë aty dhe për më tepër sezonin që vjen do të militojë në të Dytën.

Turbina është treguar një skuadër konstante këto sezone, por asnjëherë nuk e ka pretenduar elitën, duke u kënaqur thjesht me qëndrimin në kategori. Sopoti dhe Gramshi do të përfaqësojnë qarkun në Kategorinë e Dytë, por do të ishte e tepërt të kërkosh që këto ekipe të vogla të bënin gjëra të mëdha. Për të mos folur për Domosdovën, e cila përfaqëson qarkun e Elbasanit në Kategorinë e Tretë. E trishtë, por e vërtetë. Një qark përfaqësohet në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, përveç nivelit më të rëndësishëm dhe futbollit të vërtetë, Superiores.

SHPRESAT

Teorikisht ekzistojnë shpresat që edhe qarku i Elbasanit të përfaqësohet në Superiore sezonin tjetër, nëse njëra nga skuadrat si Elbasani dhe Turbina që militojnë në Kategorinë e Parë, të ngjiteshin më lart. Praktikisht, kjo gjë duket e pamundur të ndodhë këtë sezon, me Elbasanin që nuk i ka punët në rregull për të pretenduar elitën dhe Turbinën që s’e ka provuar asnjëherë në historinë e vetë se çdo të thotë të luash në Superiore. Ndërkaq, te verdheblutë situata nuk duket aspak premtuese, me klubin që është në ngërç dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"