Elbasani gjen mbrojtës, vjen lojtari që ka luajtur në Angli. Firmos edhe një 23-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 22:47

Elbasani gjen mbrojtës, vjen lojtari që ka luajtur në Angli. Firmos edhe një 23-vjeçar

Elbasani gjen më në fund mbrojtës. Bëhet fjalë për Henry Markun dhe Amadeos Xhakollin, të cilët u janë bashkuar zyrtarisht verdhebluve. I pari është një 20-vjeçar që vjen nga kategoritë e ulëta në Angli, teksa së fundi ka qenë pjesë e ekipit Nju Salamis dhe më parë tek Oxhey Jets. I dyti është një 23-vjeçar, i cili është aktivizuar te Luzi 2008 gjatë pjesës së parë të këtij sezoni. Një lojtar që njihet mirë edhe prej trajnerit Anxhelo Suta, pasi e ka stërvitur gjatë kohës që drejtonte ekipin kavajas. Bëhet fjalë për dy lojtarë që do të rrisin konkurrencën në repartin defensiv, megjithatë kërkimet për të shtuar eksperiencën vazhdojnë. Duke qenë se rrezikon rënien, klubi pret që të paktën mbrojtjen ta ketë të blinduar.

egnatia elbasani

NDRYSHIMET

Në Elbasan shpresojnë që ndryshimet e bëra nga pankina e në ekip të sjellin rezultat. Ndeshjet miqësore po flasin për një skuadër që ka potencial, ndaj verdheblutë besojnë të vazhdojnë me këtë ritëm në fazën e dytë të kampionatit. Një nga futbollistët që ka spikatur dhe besohet se do të ndryshojë fazën ofensive, është Gustavo Henrique Balduino Ribeiro. Sulmuesi erdhi në Elbasan pas një aventure me Luzin 2008 dhe është një njohje e vjetër e trajnerit Anxhelo Suta. Mungesa e golit ka qenë “thembra e Akilit” në fazën e parë për verdheblutë, por pritet që kjo “thatësirë” të marrë fund tani e tutje.

Capture

RIBEIRO

Për “Panorama Sport” 25-vjeçari shprehet i kënaqur me ambientin që ka gjetur në Elbasan dhe premton se nuk do të zhgënjejë. Braziliani siguron se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar ekipin të arrijë mbijetesën. “Ndihem mirë në Elbasan dhe jam ambientuar shumë shpejt këtu. Kam ardhur për të dhënë kontributin tim në arritjen e objektivave të skuadrës dhe kam besim se do t’ia dalim. Kemi luajtur disa miqësore dhe unë po përshtatem shumë shpejt me grupin. Jam gati për kampionatin. E kam të qartë situatën në të cilën ndodhet klubi. Ka mungesë pikësh, por asgjë nuk ka mbaruar. Kam ardhur që të ndihmoj ekipin në fazën ofensive dhe shpresoj ta bëj mirë detyrën time, duke realizuar golat”, shprehet braziliani verdheblu, tek i cili janë varur shpresat e golit për pjesën e mbetur të sezonit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"