Elbasani barazon me Korabin, nuk bindin lojtarët në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2020 | 10:50

Elbasani barazon me Korabin, nuk bindin lojtarët në provë

Elbasani dhe Korabi janë ndeshur mes tyre në një ndeshje miqësore, që ka përfunduar pa gola, 0-0. Edhe pse përballë janë vënë dy skuadra me objektiva të kundërta, Elbasani që lufton për mbijetesë në Grupin B dhe Korabi që kërkon Superioren në Grupin A, nuk u vunë re diferencat në fushë.Elbasani

Në fakt, miqtë nga Peshkopia ishin më pranë golit, por hasën në pengesën e portierit 17-vjeçar të Elbasanit, Redon Gega. Të dy trajnerët, Lleshanaku dhe Bubeqi, i aktivizuan të gjithë lojtarët që kishin në dispozicion, por siç u shprehën edhe pas ndeshjes, nuk morën përgjigjet që prisnin.

NDESHJA – Miqësorja e zhvilluar në Elbasan do të niste me vrull me të dyja ekipet, që kanë ndërmarrë inkursione të rrezikshme drejt portave kundërshtare. Verdheblutë lidhen mirë midis tyre në lojë, por gjithsesi mungon forca goditëse dhe finalizimi. Nga ana tjetër, djemtë e trajnerit Bubeqi përpiqen ta vënë në vështirësi portierin Gega, por ky i fundit është vërtet një pengesë e pakalueshme. Është portieri i të rinjve që luan ndeshjen e parë me ekipin e parë të Elbasanit.

Fraksioni i parë i lojës mbyllet 0-0, por duhet thënë se pavarësisht se mungoi goli, ritmi i lojës ishte i kënaqshëm për të dyja ekipet. Fraksioni i dytë i ndeshjes nis me shumë ndryshime, me trajnerët që provojnë të gjithë lojtarët që kishin të gatshëm. Dhe kjo bën që të bjerë disi ritmi. Janë lojtarët e Korabit që shfaqen më rrezikshëm, krijojnë volum loje dhe e godasin portën e Elbasanit, që gjithashtu bën përpjekjet e veta. Skuadra e trajnerit Lleshanaku tenton në dy momente me Nurin, por ai ndalet pa probleme nga portieri mik.

Rrjetat mbeten të paprekura në këtë ndeshje miqësore, ku Elbasani tregoi sërish se nuk ka asgjë më pak se kundërshtarët në aspektin e lojës, por vuan shumë për të marrë rezultat në kampionat. Korabi ka më shumë përvojë në skuadër dhe normalisht ka pretendime më të mëdha se verdheblutë. Ishte një miqësore që u shërbeu trajnerëve për të mbajtur lojtarët në tonus. Elbasani dhe Korabi janë dy skuadra që deri tani kanë bërë më pak lëvizje në merkaton e dimrit. Tek elbasanasit nuk ka afrime apo largime, kurse te dibranët janë vetëm dy largime.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"